Shllaku: Prej 20-vjetësh s’kemi strategji për mbrojtjen e resurseve tona

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve mjedisore, njëherësh drejtori i KFOS-it, Luan Shllaku në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka mbështetur nismën qytetare për mbrojtjen e liqenit të Badocit nga ndërtimet eventuale në zonën e tij.

“Definitivisht, qytetaria Kosovare na mbetet i vetmi faktor korrigjues i veprimeve abuzive të kësaj administrate. Këto ditë, shoqëria e gjerë civile, qytetaria jonë është bërë pararojë kundër abuzimit me resurset tona ujore, që janë aq të mangëta. I uroj nga zemra të vazhdojnë me këtë nismë.
Iniciativa për rruajtjen e liqenit të Badovcit, që është duke marr hov gjithnjë e më shumë, më bën entuziast për potencialin që ka vendi për t’i luftuar abuzimet, që janë aq të shpeshta”, ka shkruar Shllaku. Sipas tij, kjo çështje doli ende pa mbaruar punë me qymyrin dhe idetë e çmendura për instalim të kapaciteteve shtesë të prodhimit të rrymës brenda rajonit të Prishtinës, ku jetojnë jo më pak se 900 banorë në një kilometër katror.

Shllaku ka thënë se është lënë pezull edhe çështja e mini-hidrocentraleve, teksa vendimmarrësit e mëdhenj dhe të vegjël, garojnë se kush do të jetë i pari që do t’i “ndihmoj” investitorët e mëdhenj, që të na e qëndisin vendin sipas shijes dhe interesit të tyre personal”.

Projekti i Badovcit, sipas Shllakut solli në vëmendje faktin se edhe njëzet vjet pas nuk ka një strategji për mbrojtje të resurseve, siç është uji.

“Ndërtimet përreth këtyre resurseve, devijimi i lumenjve, eksploatimi i egër i tyre, futja e ujit në gypa rrezikon pafundësisht të ardhmen jo vetëm tonën (e kemi meritua ndoshta), por edhe të fëmijëve tanë. Le t’i hartojmë planet dhe procedurat e veprimit me resurse te rrezikuara siç është uji, duke i mbrojtur në rend të parë, dhe për aq sa mbetet hapësirë, le ta parashohim se sa, si dhe në cilat raste mund të shfrytëzohen – shfrytëzimi të jetë vlerë e shtuar e jo shkatërrim dhe devastim”, ka shkruar Shllaku.

Të ngjashme