Të rinjtë e Kosovës protestojnë për një mjedis sa më të pastër

Prishtinë | 05 Qer 2017 | 14:16 | Nga

Green Art Center-Prishtina, zyra në Gjilan, të hënën ka organizuar aktivitete për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit. Këto aktivitete u organizuan nga zyrtarë të GAC-it ndërsa u përkrahën nga nxënësit e Klubeve të Gjelbra si dhe arsimtarët përgjegjës të këtyre klubeve.

Aktivitetet e ditës së sotme nisën me marshin e nxënësve nën moton “Duam Mjedis të Pastër”, të cilët parakaluan përgjatë një pjese të qytetit të Gjilanit, duke mbajtur kapela dhe pankarta me mesazhe të shumta sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit.

Zyrtarë të GAC-it janë shprehur të kënaqur me gatishmërinë e shkollave për të bashkëpunuar dhe me gatishmërinë e nxënësve për të përcjellë çdo aktivitet të tyre. Ata thanë se i vjen mirë kur i shohin pikërisht fëmijët, duke dashur të bëjnë ndryshime dhe të vetëdijesohen në këtë aspekt. Prandaj, edhe shfrytëzuan rastin ti falënderonin të gjitha Klubet e Gjelbra për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin kësaj nisma të GAC-it për mbrojtjen e mjedisit dhe gjithçkaje që na rrethon.

Aktiviteti ka vazhduar edhe me vendosjen e një stende në një pikë të qytetit si dhe me shpërndarjen e njoftimeve dhe çantave ekologjike për qytetarë. Ndërsa, aktivitete të ngjashme gjithashtu janë zhvilluar edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren dhe Gjakovë, ku është parë një masivitet i nxënësve dhe qytetarëve në përgjithësi, të cilët kanë shprehur kënaqësinë të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla të dobishme dhe të domosdoshme për vendin tonë.

Aktivitetet e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, janë shënuar me qëllimin e vetëm, që të përcjellin mesazh sensibilizues tek të gjithë qytetarët e Kosovës, për ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme