Tekniku i rrjetit të ujërave të zeza në KRU “Prishtina”: Gjatë pastrimit në lagjen “Vneshta” kemi gjetë shporet në puseta

Prishtinë | 01 Jan 2022 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Tekniku i rrjetit të ujërave të zeza në KRU “Prishtina”, Valmir Morina, thotë se i gjithë sistemi i ujërave atmosferikë në kryeqytet është i futur në atë fekal dhe janë të përziera, e që sipas tij nuk lejohet.

Ai tregoi se gypat janë të ngushtë edhe është papërgjegjësi e qytetarëve që hedhin mbeturina të ngurta e inerte në puseta.

“Më shumë hedhin pallomat e lagura, që janë kancer për rrjetin e sistemit të ujërave të zeza, ka edhe tepihë, kauçë, jorganë, jastëkë, mjete të veturave, goma, branik, maska, pjesë të asfalitit, kur asfaltohet, kryhet një punim, kur të përfundohet kompanitë e papërgjegjshme i lënë nëpër puseta të gjithë materialin.” u shpreh Morina.

Tutje, ai tha se edhe mbetjet e kafshëve hidhen në puseta e edhe një shporet i drunjëve, i cili ka qenë i deformuar është gjetur nga punëtorët gjatë pastrimit të një pusete në lagjen “Vneshta”.

“Mund të them se 50% të rasteve te ndërtimet e reja, sistemi i ujërave të zeza ka qenë për shtëpi kolektive, që tash shfrytëzohet për ndërtim të lartë, e që nuk kanë bërë asnjë investim. Gypat janë të diametrit te vjetër, numri i banorëve është shtuar, poashtu janë punuar pa standarde, nuk e kanë nivelin e rënies sa duhet, pustetat nuk janë të punuara si duhet, nuk kanë izolim sa duhet.”

Morina tregoi se nëse ka edhe reshje atmosferike ndodhë që brenda muajit të intervenojnë deri në 600 raste vetëm në qytetin e Prishtinës për debllokime të pusetave të ujërave të zeza, shkruan KlanKosova.

Ai kërkoi nga qytetarët që mbeturinat të hidhen në vendet e caktuara e jo në rrjetin e ujërave të zeza, sepse siç tha, shkaktohen shumë probleme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme