Telekomi drejt një kompanie të lidhur me njerëzit e Haradinajt

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 07:59 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës ka lidhur jashtëligjshëm një marrëveshje të konfidencialitetit që i mundëson kompanisë “Artillery One”, me bazë në Karolinën e Veriut, qasje të plotë në dokumentat financiare, pas të cilit hap është paralajmëruar oferta për privatizim të kësaj ndërmarrjeje publike.

Shefi i kompanisë amerikane, Daniel P. Cannon, ka një të kaluar të errët dhe ka partneritet biznesi me familjarë të një këshilltari të kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan sot Koha Ditore.

Mbështetur në një informatë që në fillim të muajit e ka dhënë Senton Kaçaniku, përfaqësues i kësaj kompanie amerikane, marrëveshja përbën hapin “drejt shpëtimit të Telekomit”.

“Drejtori menaxhues në ‘Artillery One’, George Cannon dhe u.d. i kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, nënshkruan marrëveshjen e konfidencialitetit, që ia mundëson kompanisë sonë të fillojë procesin e analizës financiare në mënyrë që të evoluojë vlerën e tregut të Telekomit dhe të përpilojë ofertën për privatizim, si mënyrë për ta shpëtuar këtë kompani nga falimentimi”, thuhet në këtë informatë. “Si kompani, ne jemi falënderues dhe entuziastë për qasjen konstruktive dhe në mbështetje të investimeve të dëshmuara nga kryeministri Haradinaj, si dhe për transparencën e treguar në këtë proces”.

Marrëveshja me Telekomin është firmosur vetëm dy ditë pasi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë është regjistruar biznesi me emër “Artillery One Kosova” L.L.C. Mbështetur në platformën online të kësaj agjencie, pronar i këtij biznesi figuron George elliott peter Cannon, djalë i Daniel P. Cannon, ndërsa kapitali fillestar i kompanisë është paraqitur 1.000 euro. E drejtor menaxhues është prezantuar aty Senton Kaçaniku.

Ndryshe prej asaj që kishte informuar fillimisht, Kaçaniku i ka thënë gazetës të martën se “Artillery One Kosova” nuk ka pikë lidhje me Telekomin. Për këtë biznes të ri, ka thënë të jetë themeluar si kompani me synim të ndërtimit të një spitali, për të cilin ka thënë se do të ofrojë shërbime falas të emergjencës për rajonin e Drenicës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme