Thaçi dhe kryesuesi i Asociacionit Parlamentar të NATO-s në Kanada bisedojnë për bashkëpunimin në sektorin e sigurisë

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot deputetin e Parlamentit të Kanadasë, Borys Wrzesnewskyj, njëherësh kryesues i Asociacionit Parlamentar të NATO-s në Kanada, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e Kosovës dhe Kanadasë, veçanërisht në sektorin e sigurisë.

Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur që Kosova dhe Kanadaja këtë vit shënojnë 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve dhe e falënderoi deputetin Wrzesnewskyj për përkrahjen e vazhdueshme që Kanadaja i ka dhënë Kosovës.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen që na keni dhënë në të gjitha fazat”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Tani po punojmë për forcimin e paqes dhe për stabilitetin e qëndrueshëm. Është njësoj e rëndësishme të përkrahet Kosova edhe tani, veçanërisht në përpjekjet për të arritur marrëveshjen e përhershme paqësore me Serbinë dhe në transformimin e FSK-së në forcë të gatshme për t’u bërë anëtare e NATO-s”, shtoi presidenti Thaçi.

Deputeti Wrzesnewskyj u shpreh se e njeh mirë rrugën e vështirë dhe tragjike të Kosovës dhe e kupton rëndësinë e sigurisë së përgjithshme.

“Është inkurajues zhvillimi i deritashëm i Kosovës në përgjithësi dhe zhvillimi i FSK-së në veçanti”, theksoi deputeti Wrzesnewskyj.

“Kosova është e qartë se të ardhmen e sheh në NATO dhe BE”, përfundoi presidenti Thaçi.*

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme