UNICEF Innovation Lab Kosovo organizon ngjarjen vjetore “Activate Talks”

Prishtinë | 27 Nën 2017 | 20:27 | Nga Donika Osmani

UNICEF Innovations Lab Kosovo ka organizuar, të hënën, ngjarjen vjetore “Activate Talks” që synon promovimin e teknologjive inovative dhe iniciativave të zhvilluara nga Innovations Lab dhe theksimin e punës së inovatorëve të rinj socialë të përfshirë në programin e Innovations Lab.

Brandão Có, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se “Activate Talks” ka për qëllim t’i ndihmojë të rinjtë të ndryshojnë mënyrën si shohin gjërat, mundësitë dhe burimet që njerëzit i shohin si probleme dhe sfida.

“Të rinjtë në Kosovë gjithmonë janë pjesë e zgjedhjeve e pjesëve që po ofrohen, e pjesëve të ndryshimeve që po ofrohen. Kjo do na ndihmojë të angazhohemi dhe të rimendojmë më shumë gjëra”, tha Brandão Có.

Aida Ramaxhiku, anëtare e projektit “Unë jam ti”, projekt ky që ka për qëllim ngritjen e edukimit dhe integrimit shoqëror të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, tha se ky projekt ka bërë vedijesimin e shoqërisë kosovare për të mbështetur këto komunitete.

“Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas janë më të diskriminuarat në Kosovë.
Hartuam kampanjë për vedijesimin e njerëzve dhe video të tipit vetëdijesues, të ngrisim ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar dhe atyre rom, ashkali e egjiptas për të parë të drejtat e tyre, se edhe ata kanë të drejta të arsimohen të punësohen të marrin pjesë në shoqëri. Fushata është transmetuar në televizione dhe në rrjete sociale”, tregoi Ramaxhiku.

Dhurata Sefa, anëtare e projektit “Made With Love”, tregoi se ky projekt kishte për qëllim themelimin e një kompanie, e cila angazhon në bërjen dhe shitjen e ëmbëlsirave për viktimat e dhunës në familje.

“Këto gra kanë pasur rastit të qajnë hallet e njëra-tjetrës. Kemi formuar së bashku ëmbëlsira me një grup të të rinjve; i bëmë më dashuri ato ëmbëlsira për gratë që nuk përjetuan asnjëherë dashuri”.

Sejnur Veshall, anëtar i projektit “Golden Hands”, tha se projekti i tyre synon aktivizimin e vajzave të reja të komunitetit rom përmes punimeve artizanale. Veshall theksoi se komuniteti i tij është i diskriminuar dhe se dëshira e tij është që ndonjëherë të thirren e identifikohen si prizrenas apo kosovar, dhe jo vetëm si rom.

“Dëshira ime me qenë aktiv gjithmonë ka ekzistuar, por si komunitet kemi qenë të diskriminuar.
Filluam të mbajmë aktivitete që gratë rome të ndjehen të afta. Arsyeja pse kemi vënë emrin ‘Golden Hands’ është të tregojmë duart e arta të gruas rome. Gratë rome nuk janë pasive, por nuk kanë mbështetjen e duhur”, u shpreh ky i ri.

Linda Shala, nga Oda Ekonomike e Grave të Kosovës, në këtë organizim tha se të rinjtë tash kanë më shumë mundësi të gjetjes së punës së re, në krahasim me kohën se kur ajo ishte studente.

Shala tha se zhvillimi teknologjik ka bërë që edhe përmes internetit të punësohen të rinjtë.

“Ju keni lindur dhe po rriteni ne fazën më të mirë të kohës. Globalizimi po punon për juve. Derisa mua më është dashur ta lyp atë vetëm në Kosovë ju e keni botën përpara. Ju sot paguheni duke punuar prej shtëpisë tuaj si dizajner, mbajtës i web faqeve etj”.

Në ngjarjen që u mbajt në Fakultetin e Edukimit të UP-së merrnin pjesë më shumë se 250 të rinj nga Kosova, dhe përfaqësues të 22 shteteve të botës.

Kosova ka një nga popullatat më të reja në Evropë, me rreth gjysmën e popullatës nën moshën 25 vjet. 27.1% të të rinjve të moshës 15-24 vjet nuk janë të punësuar apo në shkollë, sipas statistikave.

Për të trajtuar këto sfida, UNICEF Innovations Lab Kosovo thotë se dëshiron të fuqizojë adoleshentët dhe të rinjët për të avancuar përdorimin e teknologjisë për të nxitur ndryshime sociale dhe hulumton mënyrat dhe mundësitë për të bartur tek të rinjtë shkathtësitë e shekullit 21.

Të ngjashme