Vdes delegatja e Kuvendit të Kosovës, Kadrije Ismajli

Prishtinë | 05 Jan 2017 | 16:10 | Nga

Ka vdekur ish-delegatja e Kuvendit të Kosovës e përbërjes së vitit 1990, Kadrije Ismajli, e cila mori pjesë aktive në nxjerrjen e Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut, të 7 shtatorit 1990.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar familjen Ismajli, për vdekjen e Kadrije Ismajlit, delegate e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e përbërjes së vitit 1990.

“Kadrija, në cilësi të delegates së Kuvendit të Kosovës, të përbërjes së vitit 1990, mori pjesë aktive në nxjerrjen e Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut, të 7 shtatorit 1990. Ajo tha kontribut të jashtëzakonshëm në nxjerrjen e vendimeve dhe akteve të Kuvendit, të cilat përcaktuan ecjen drejt krijimit të Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, të cilin ne po e gëzojmë sot”, thuhet në ngushëllimin e kryeparlamentarit Veseli.

Kryeministri Mustafa vlerëson kontributin e Ismajlit

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar Familjen Ismajli pas ndarjes nga jeta të delegates së Kuvendit të Kosovës në vitet ’90, Kadrije Ismajli.

Në telegram, kryeministri ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Ismajli, për delegatët e Kuvendit të Kosovës si dhe kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Ilaz Ramajli.

Me këtë rast, Mustafa ka theksuar se zonja Ismajli dhe delegatët e tjerë të Kosovës në kohërat më të vështira dhanë kontribut historik në miratimin e Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut, duke rikonfirmuar vullnetin e paepur të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Kreu i Qeverisë, po ashtu, ka shprehur respektin e Qeverisë së Kosovës për të gjitha ato gra dhe burra, që kontribuuan në çfarëdo forme për realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë zonjën Kadrije Ismajli, të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës më 2 korrik të vitit 1990 dhe që miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik janë dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë” nga Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, më 2 korrik 2004.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme