Yagcilar: Ligji për Pagat, arritje e madhe në procesin e reformës së administratës publike

Prishtinë | 02 Shk 2019 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës për miratimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Pagat.

Sipas tij, ai paraqet një arritje të madhe për procesin e reformës dhe modernizimit të administratës publike.

“Miratimi i këtyre ligjeve shënon gjithashtu zbatimin e një prej treguesve kryesorë nga Kontrata e Reformës Sektoriale për Administratën Publike me Komisionin Evropian. Ligjet përkatëse adresojnë sfidat kryesore që kemi në administratën publike, duke përfshirë, ndër të tjera, procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë dhe vlerësimin e performancës së tyre dhe do të krijojë përgjegjësi në formimin dhe menaxhimin e agjencive të pavarura. Ligjet përkatëse do të transformojnë rolin dhe mandatin e Ministrisë së Administratës Publike dhe ne jemi të gatshëm të ecim përpara në zbatim”, bën të ditur Yagcilar.

Ai ka falënderuar kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe gjithë deputetët.  

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen që kemi pasur gjatë gjithë procesit. Kryeparlamentarin Veseli për përkushtimin dhe përkrahjën e tij në këtë proces, anëtaret e komisionit parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media për punën e tyre. Gjithashtu dua të përgëzoj dhe falënderoj për punën e tyre Grupet Punuese që kanë hartuar ligjet dhe Departamentin Ligjor në MAP”, tha Yagcilar, bën të ditur njoftimi.

Të ngjashme