Nagavci kërkon nga Këshilli i Etikës t’i trajtojë pa vonesë ngacmimet seksuale në UP

Prishtinë | 09 Pri 2024 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se pret nga Këshilli i Etikës që t’i trajtojë pa vonesa rastet e ngacmimeve seksuale brenda Universitetit të Prishtinës.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta në lidhje me denoncimin në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës, të disa rasteve për pretendime të ngacmimeve seksuale.

“Rastet e pretenduara, me të drejtë paraqesin shqetësim, po aq sa edhe janë dëshmi se në Universitetin e Prishtinës tashmë janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim ashtu si dhe kërkesat e domosdoshme që secili pjesëtar i stafit akademik dhe punonjës të tjerë të UP-së, të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës, sjelljes akademike dhe kontributit për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, ka shkruar ajo.

Nagavci ka thënë se pret nga UP-ja dhe të gjitha institucionet arsimore, të rrisin masat e parandalimit e të avancojnë mekanizmat e trajtimit konfident, të shpejtë dhe profesional të këtyre rasteve.

“Si ministre e Arsimit pres nga Këshilli i Etikës si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ”, ka shkruar Nagavci.

KOHA ka raportuar ditë më parë se 27 studente e kanë denoncuar profesorin e Edukimit, Xhevat Krasniqi për sjellje joprofesionale në ambientet akademike. Në ankesën e tyre studentet kanë theksuar se profesori u është drejtuar me sjellje joprofesionale dhe me komente mbi pamjen e tyre fizike.

Lidhur me rastin janë mbajtur disa protesta, ndërkohë Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës (UP) ka nisur shqyrtimin e denoncimeve të paraqitura kundër Krasniqit.

Të ngjashme