Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie rreth keqpërdorimit të parasë publike dhe punësimeve partiake që sipas tyre e ka kapluar vendin, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, tha se keqpërdorimi i parasë publike nuk po ndalet, por sipas aj po shtohet çdo ditë e më shumë.
“Raporti financiar, është dëshmi më shumë se ndalja e keqpërdorimit të parasë publike nuk po ndodh, përkundër ai po shtohet. Si mund të pretendoj Qeveria që ka pasë rritje ekonomike, kur ka një numër të vogël të bizneseve të regjistruara.
Ajo ka përmendur shpenzimet që po bëhen.
“Veturat zyrtare 1 milion, fushat sportive 300 mijë, pajisje muzikore 0 euro, furnizim me ushqim 12 milionë euro, udhëtimet 4 milionë, akomodimet 3 milionë. Kurse dhjetëra sektorë vuajnë nga nën financimi dhe një numër i madh kanë vështirësi për të përballuar jetën e tyre”, tha ajo.
Nagavci ka komentuar edhe punësimet që po bëhen nëpër ministri.
“Punësimi pa konkurs është në rritje e sipër, ka stërngarkesë për shërbime të veçanta në ministrin e Arsimi 207 të punësuar me kontrata të veçanta, kryesisht të punësuar nga Nisma. Ministria e Kulturës 118 persona. Ministria e Infrastrukturës 135 persona të punësuar, të afërm me AAK-në. Nuk ka vetëm keqpërdorime, mendësia e tyre është tillë se s’ka as ndalim të keqqeverisjes. Me këtë mendësi nuk mund të vazhdojmë tutje”, tha ajo.
Ndërsa sa i përket mungesës së deputetëve në seanca, Nagavci tha se kjo mungesë tregon se ka nevojë që vendi të shkoj në zgjedhje.
“Si e vëreni edhe vet e gjithë situata është treguesi më i mirë që është koha për zgjedhje sepse institucionet nuk punojnë në interes të vendit”, tha Nagavci.
Edison Jakurti nga Komuniteti për Politikë dhe Financa në VV, tha se Qeveria po e shfrytëzon paranë publike.
“Këtë vit si për ironi Qeveria e ka shpallur vit të ekonomisë. Raporti financiar për këtë muaj është edhe një dëshmi si kjo qeveri shfrytëzon paranë publike. Tash e sa vjet ministrat mburren me ekonomi”, tha ai.