Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë sot në Forumin Botëror të Edukimit që po mbahet në Londër.
“Kënaqësi të jem pjesë e Forumit Botëror të Edukimit 2022, i cili po mbahet në Londër ku tema e këtij viti është “Arsimi: Ta ndërtojmë të ardhmen së bashku, më të fortë, më të guximshme dhe më të mirë””, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo tha se në këtë forum synojnë të shtojnë bashkëpunimin në mënyrë që së bashku të adresojnë çështje dhe sfida si dhe me anë të bashkëpunimit të gjejnë zgjidhje.
“Qeveria e Kosovës me përkushtim të plotë po punon për mbështetjen e mësimdhënësve dhe nxënësve në mënyrë që të ngritet performanca në arsim. Prandaj, Forumi Botëror i Edukimit është njëra nga mundësitë më të mira për të shkëmbyer përvojat e sistemeve të tjera arsimore dhe për të përshtatur praktikat e mira në kontekstin tonë”, ka shtuar ajo.
“Falënderoj Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe ambasadorin në Kosovë, z. Nicholas Abbot për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm!”.
Në këtë forum kanë marrë pjesë Ministri të Arsimit nga vende të ndryshme të botës.