Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci ka thënë se partia e saj mbështet Rezolutën e PDK-së për Mbrojtjen e Viktimave të Luftës, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, kjo rezolutë paraqet qëndrim unik të të gjitha partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës duke potencuar se pavarësisht rendit të ditës është dokument që mund të votohet sot në Kuvend.
“Edhe njëherë po i përsërisim ato që i kemi thënë publikisht dhe janë të ditura tashmë. Propozimin për Rezolutën ne e kemi mbështetur. Kanë pasur takime sot dhe unë besoj që janë para finalizimit të përmbajtjes së rezolutës, në këtë pikë unë u kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës që është propozuar tashmë, dhe sapo të kemi dakordimin final e miratojmë. Të mos harrojmë që po flasim për një rezolutë që do të jetë një qëndrim unik i të gjitha partive shqiptare, është edhe një dokument i cili do duhej të reflektonte një përmbajtje të saktë dhe të përgjegjshme. Mendoj që përtej aspekti se a është pika e parë e tretë apo e pestë e rendit të ditës, është një dokument që mund të votohet sot”, tha Nagavci.