Nagavci pjesë e fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”

Prishtinë | 26 Nën 2021 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në aktivitete që kanë shënuar fillimin e fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, fushatë kjo e koordinuar nga UN Women, e cila ka si qëllim dhënien fund të dhunës ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën.

Gjatë ceremonisë së hapjes së aktivitetit të ndriçimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me ngjyrë portokalli, ministrja Nagavci tha se dhuna me bazë gjinore mund të luftohet vetëm duke edukuar brezat e rinj dhe duke mbjellë kulturën e barazisë qysh herët tek vajzat dhe djemtë.

Po ashtu, Ministrja tha se është detyrë e të gjithëve që të edukojmë brezat e ardhshëm pa norma të dëmshme gjinore, në mënyrë që gratë dhe vajzat të kenë një të ardhme më të ndritur.

Ministrja Nagavci tha se si Ministri jemi të fokusuar në parandalimin e dhunës duke arritur tek brezat e ri, përfshirë edhe adresimin përmes edukimit të normave shoqërore që pranojnë dhunën ndaj grave.Ajo theksoi se duhet të krijojmë mundësi për të përfshirë të rinjtë, vajzat dhe djemtë, në mënyrë të barabartë në të gjitha bisedat dhe proceset e vendimmarrjes, pasi që rinia e sotme do të ndikojë në normat sociale dhe kulturore të së nesërmes.

Ndërkaq, Vlora Tuzi Nushi, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë, tha se përderisa nuk ka vaksinë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, është në dorën tonë ta parandalojmë atë dhe kura më e mirë për këtë është edukimi.

Ministrja Nagavci, po ashtu ka marrë pjesë edhe në koncertin filharmonik, si pjesë e fillimit të fushatës, të organizuar nga UN Women në bashkëpunim me Festivalin DAM, e që këtë vit është vendosur të jetë edhe homazh për gratë e vrara si pasojë e dhunës në familje ose dhunës në bazë gjinore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme