Nagavci, SBAShK-ut: Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron

Prishtinë | 22 Gus 2022 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se MAShTI në koordinim me komunat i kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ne jemi të përkushtuar dhe me plot vullnet për fillimin e vitit të ri mësimor. Të njëjtin vullnet e sheh kudo në të gjitha shkollat në vend. Falënderuese e mirënjohëse ndaj të gjithë mësimdhënësve që punojnë pa u lodhur për zhvillimin e gjeneratave të reja, për përkushtimin në klasë, përkushtimin për nxënës, pasionin për mësimdhënie”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci tha se paralajmërimet e SBAShK-ut për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim.

“Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. SBAShK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron”, ka shtuar ajo.

“Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar, me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”.

Ristrukturimi i procesit të vlerësimit të performancës, licencimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve do t’i japin kuptim edhe rritjes në paga, tha ajo.

“Pagë dhe kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë. Ky premtim do të jetësohet me Ligjin e ri për paga. Mësimdhënësit tanë të të gjitha niveleve pa përjashtim, janë trajtuar me kujdes të veçantë. Jo neglizhim i mësimdhënësve dhe edukatoreve të nivelit parashkollor, por paga dhe kushte te punës së favorshme. Përkundër gjithë punës sonë, mësimdhënësit  janë epiqendra e reformës në arsim, andaj dhe ky rrugëtim i ynë është i përbashkët me ta”, ka shtuar ajo.

Nagavci tha se kanë një rrugë të gjatë edhe këtë vit mësimor dhe sfidat nuk do të mungojnë. “Çdo orë dhe ditë mësimore është përgjegjësi ndaj nxënësve për një shkollim më të mirë”.

Të ngjashme