Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, nga VV, e ka cilësuar absurde këmbënguljen për thirrjen e seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i bën “thirrje PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës (PLAN po i bie) të mos tregohen të papërgjegjshëm”.
Postimi i plotë i Nagavcit:
“Absurde, dhe shumë shqetësuese qysh në mes të krizës shëndetësore po këmbëngulin për mbledhje të Kuvendit. Sikur aty vetëm një deputet të jetë i infektuar, rrezikojmë të infektohemi të gjithë. E pastaj infeksioni do të përhapej, sepse deputetët vijnë nga të gjitha komunat.
I bëj thirrje PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës (PLAN po i bie) të mos tregohen të papërgjegjshëm.
Mos e vini në rrezik Kosovën midis situatës së pandemisë globale.
Mocioni pret, a virusi vret…”, ka shkruar Nagavci.
Kuvendi i Kosovës ka vendosur që nesër në ora 11:00, ta mbajë seancën për mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti.