Nagavci u bën thirrje mësimdhënësve t’u kthehen shkollave: Greva ka humbur çdo kuptim

Prishtinë | 18 Sht 2022 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje përsëri, mësimdhënësve që të nesër t’u kthehen shkollave për mësim.

Kjo thirrje e Nagavcit, vie pas insistimit të sërishëm të SBASHK-ut, që greva të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Lidhur me këtë, ministrja Nagavci shprehet se si qeveri kanë pritur që SBASHK të tregojë gatishmëri për të filluar mësimi, e për këtë rezulton të kenë refuzuar rolin ndërmjetësues të presidentes e po ashtu edhe atë të Avokatit të Popullit.

”Me ftesë të Avokatit të Popullit, dje bashkë me zv.KM, Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati jemi takuar me Avokatin e Popullit.

Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor.

Ndërkohë, sot kemi pranuar një letër nga Avokati i Popullit, zt, Naim Qelaj të cilën e kemi shqyrtuar dhe menjëherë i kemi kthyer përgjigje duke adresuar propozimet e tij.

Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHKU dhe të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qendrim se greva vazhdon.

Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit.

SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave.

Në postimin në Facebook, ajo ka bashkangjitur shkresën me propozime, të Avokatit të Popullit dhe përgjigjen e MASHTI-t.

Të ngjashme