NASA ka shënuar një arritje tjetër në misionin e saj më të ri në planetin Mars, duke e shndërruar dyoksidin e karbonit nga atmosfera e Marsit në oksigjen të pastër që mund të thithet, njoftoi agjencia amerikane e hapësirës të mërkurën.
Përftimi i pashembullt i oksigjenit nga ajri i hollë i Marsit u arrit të martën përmes një pajisjeje për eksperimente brenda roverit “Perserverance”, objekt me gjashtë rrota që u lëshua në sipërfaqen e “Planetit të Kuq” më 18 shkurt pas një udhëtimi 7-mujor nga Toka.
Në aktivizimin e tij të parë, instrumenti i vogël me emrin “Moxie”, prodhoi rreth 5 gramë oksigjen, që do të mund t’i shërbente rreth 10 minuta për frymëmarrje një astronauti, tha NASA.
Ndonëse rezultati fillestar ishte modest, ky veprim e shënon përftimin e parë eksperimental të një burimi natyror nga mjedisi i një planeti tjetër për përdorim të drejtpërdrejt nga njeriu, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Instrumenti me të cilin u përftua oksigjeni nga ajri i Marsit funksionon përmes elektrolizës, e cila e përdor nxehtësinë ekstreme për t’i ndarë atomet e oksigjenit nga molekulat e dyoksidit të karbonit, i cili përbën rreth 95 për qind të atmosferës së Marsit.
Pjesa tjetër e atmosferës së këtij planeti, që është vetëm 1 për qind e dendur në krahasim me atë të Tokës, përbëhet kryesisht nga azoti molekular dhe argoni.
Arritja historike e NASA-s u bë vetëm një ditë pas një arritjeje tjetër, kur u realizua fluturimi i parë i kontrolluar i një objekti fluturues në një planet tjetër pas ngritjes dhe lëshimit të suksesshëm të një helikopteri miniaturë në Mars.