Ish-zëvendëskryesuesi i Bordit të AKP-së, Naser Osmani ka thënë në kohën kur ai ka qenë pjesë e këtij institucion nuk ka pasur ndërhyrje nga politika, raporton Ekonomia Online.
Osmani i cili ka qenë për një mandat 2 vjeçar në AKP, ka thënë se ai është propozuar nga Qeveria dhe emëruar nga Kuvendi.
Ish-deputeti i LDK-së, këto deklarime i ka bërë gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit.
Hekuran Murati, anëtarë i këtij komisioni ka pyetur Osmanin për mënyrën se si ai është emëruar në bordin e AKP-së, dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga politika.
“Kam qenë deputet dhe anëtar i LDK-së. Unë jam propozuar nga Qeveria dhe jam emëruar nga Kuvendi. “S’ka pasur ndërhyrje politike në AKP gjatë asaj kohe. AKP ka një hierarki dhe ne ju kemi referuar Auditorit të jashtëm. Interesi ynë ka qenë të kemi një zhvillim ekonomik. Ne kemi menduar që baza e kësaj kanë qenë shitjet që ka bërë AKP-ja”, tha Osmani
Osmani i pyetur nga anëtari i komisionit Gazmend Bytyqi, për zhdukjen e dokumentëve në vitin 2008, ka thënë se ka informata që një gjë e tillë ka ndodhur.
“Po kam informata që një sasi e dokumentacioneve janë zhdukur”, tha ai.
Ndërsa, anëtari tjetër i këtij komisioni Bekë Berisha e ka pyetur nëse AKP-ja, ka mbërritur ndonjë objektiv, Osmani ka thënë se nuk është pajtuar me politikat e privatizimit në atë kohë.
“S’jam pajtuar me politikat e privatizimit që janë praktiku atëherë. Në kohën e pasluftës fuqia blerëse ka qenë e vogël dhe s’ka pas kapital me investua në ekonominë që kemi trashëgua. Për mu s’ka qenë më rëndësi çmimi i shtijës por të jetë transparent e i mirë. Për mua ka qenë e diskutueshme që a duhet të shitet Goleshi si minierë apo jo dhe raste të tilla. Sot kemi rrethana tjera. Ajo që është shit ka ndikuar në zhvillimin ekonomik. Njerëzit kanë blerë dhe çka bënë dhe si investon është punë e tij. Privatizim i suksesshëm ishte investimi i Banjës në Istog p.sh”, tha ai.
Osmani është pyetur edhe për raportet me ndërkombëtarët, për të cilët ka thënë se në disa raste u kanë shkaktuar momente të pakëndshme.