Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është takuar me drejtorin e ShSKUK-së, Basri Sejdiu, dhe me drejtorin e IKShP-së, Naser Ramadani, për t’u informuar nga dora e parë rreth përballjes me pandeminë COVID-19, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj, tha se puna e bërë nga institucionet shëndetësore ka qenë e mirë. Ajo ka pyetur se meqë disa prej vendimeve të ministrit Arben Vitia janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata, a kanë qenë rekomandime të Institutit.
“Komisioni gjatë tërë kohës që po përballemi më këtë pandemi, ne kemi përcjellë nga afër rekomandimet që i keni nxjerrë ju si IKSHPK. Me të vërtetë u jemi mirënjohës për kulturën dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Duke ditur përgjegjësinë e IKShP-së, është vërejtur se disa raste për protokolle dhe masat a kanë qenë në përputhje me rekomandimet e OBSH, sepse Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim se këto vendime ishin kundër saj, ndërsa Ministri Vitia pati thënë se këto rekomandime janë nga IKSHPK. Dua të di nëse këto vendime a kanë qenë me rekomandimet e juaja?”, ka thënë Reshitaj.
Ajo po ashtu ka pyetur edhe pse Kosova është një prej vendeve të rajonit që ka bërë me së paku teste.
“Pjesa tjetër ka qenë mungesa e testeve, që jemi vendi i vetëm në rajon që i kemi bërë këto teste më pak në një milion banor, përveç Shqipëria ka bërë më pak teste. Pra zoti Ramadani pse janë bërë këto pak teste në Kosovë, a është si pasoje e mungesës së testeve? E kemi rastin e karantinimit, ku shumë janë larguar e disa prej tyre nga Aeroporti janë dërguar në vetkarantinim. Kemi rastin e një të riut që gjeti vdekjen në karantinë, rast ky që na ka prekur të gjithëve. Si vlerësohet dhe si renditemi ne si vend nga organizatat ndërkombëtare dhe si e kemi pasur ne mbikëqyrjen e kësaj pandemie”, tha ajo.
Edhe deputeti Haxhi Avdyli nga LDK-ja, ka pyetur se a kanë qenë në dijeni IKShPK-ja , për vendimet antikushtetuese të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë. Ai ka pyetur se a mundet që më 1 qershor të hapen shkollat.
“Keni bërë një pumë të madhe në parandalimin e kësaj pandemie dhe nëse bazohemi në statistika, jemi shumë mirë në luftimin e kësaj pandemie, krahasuar me vendet tjera evropiane. Te masat e karantinimit, sa keni qenë i informuar apo sa i keni informuar ju institucionet për mundësine e shkeljes së Kushtetuteses. Si i keni parë ju këto vendime? Si i keni parë ju lirimim e masave, a konsideroni që ju me 1 qërshor duhet që të fillojë shkolla fillore”, tha Avdyli.
Naser Ramadani drëjtor i IKShPK tha se situata e krijuar në botë me këtë pandemi është katastrofale, krahasuar me situatën në Kosovë. Ai tha se Kosova ka menaxhuar shumë mirë këtë pandemi.
“Ne pas 1 janarit e kemi ngritur vëmendjen dhe jemi mobilizuar sepse kemi qenë në kontakt me OBSh-në, sepse ju e dini se ata kanë zyrë këtu më Prishtinë dhe në këtë kohë menjëherë kemi filluar me aktivitete. Në fund të janarit është themeluar komiteti për dhënien e rekomandimeve dhe në këtë kontekst janë formuar edhe komiteti për parandalimin e pandemisë, që përbëhet nga shumë ministri”, tha ai.
Ramadani ka bërë me dije se në Kosovë që nga shfaqja e pandemisë janë paraqitur 988 raste pozitive.
“Situata e krijuar me pandeminë në botë është katastrofale krahasuar me situatën në Kosovë. Në Kosovë situata është shumë mirë. 20 për qind e rasteve kanë qenë të hospitalozuar, ndërsa 80 për qind e tyre kanë qenë në menaxhimin e IkSHPK-së. Ma thoni ju mua se më cilin vend ky menaxhim është bërë si në Kosovë”, tha ai.
Deputeti i PDK Bekim Haxhiu, ka thënë se menaxhimi i pandemisë nga IKShPK-ja ka qenë perfekt, kurse menaxhimi i nga ministria është bërë shumë keq.
“Arsyeja që ju jeni këtu ka të bëjë rreth informimit në kohë pandemie. Arsyeja pse jeni ju këtu e jo ministri, është se Kuvendi ka shkarkuar qeverinë dhe proceduralisht ministri nuk ka të drejtë të vijë raportojë këtu. Çka ne kërkojmë është që të informohemi rreth menaxhimit të kësaj pandemie. Sepse e dimë se ajo çka e ka menaxhuar IKSHPK dhe QKUK kanë qenë përfekte por ajo çka është menaxhuar nga qeveria është menaxhim shumë i keq, duke filluar nga karantina e pastaj tek tenderët në kohë pandemie”, tha Haxhiu.
Bekim Haxhiu, sërish pyeti Ramadanin, se përse divergjenca e testeve në fillim të prillit dhe në fund muaj.
“Me 20 prill keni bërë mbi 300 testime ndërsa deri më 4 prill, testimet kanë qenë nër 100 testime. Në disa raste keni bërë vetëm 4 teste në ditë. Pse këto divergjenca dhe pse ky numër i vogël i testeve deri në fund të prillit dhe pse rritja e testeve në mes të prillit?”, tha Haxhiu.
E Ramasani tha se po të pytej ai, do të bëheshin 2 milionë teste në Koosvë.
“Nëse ka raste që në Klinikën Infektive është vonuar testimi, atëherë unë nuk jam në dijeni. Testimet janë njëra procedurë prej shumë procedurave të kësaj pandemie. Nëse më pyesni mua sesa teste do duhej të ishin në Kosovë, përgjigja ime do të ishte, 2 milionë teste”, tha ai.
Deputetja Mirlinda Sopi-Krasniqi ka pyetur se pse është dërguar në karantinë i riu nga Gjilani i cili më pas u vetëvra.
“Ajo që mua më shqetëson se kemi rastet që kanë ardhë nga jashtë. Një i ri që ka ardh nga jashtë është dërguar në karantinë, ndërsa një i moshuar është dërguar për vetëkarantinim. E këtë të moshuarin askush nuk e ka mbikëqyrur se sa kontakte ka mundur t’i ketë ky i moshuar. Pse është dërguar ai në vetkarantinim? Vet ju i keni marrë këto vendime. Tjetra, është se kujt i raporton ekipa mjekësore që gjendet në aeroportin e Prishtinës?.Sepse unë kam raste kur dikush ka dal në aeroport dhe e ka marrë dikënd dhe nuk e ka dërguar në karantinë por në shtëpi. Nuk dihet ku ka shku ai. “, pyeti Ramadanin
E ky i fundit tha se nuk ka qenë i mundur testimi i gjithë të kthyerve nga jashtë.
“Nuk ka pas mundësi që të testohen të gjithë. Mbi 30 mijë veta kanë hyrë e që janë mbikqyrë në Kosovë”, tha ai.
Debat pak më i ashpër u zhvillua në momentin kur Ramadani tha se nuk është në dijeni se kujt i raporton ekipa në aeroport të Prishtinës.
Reshitaj pyeti nëse marrja e masave do të kishte ndikim në uljen e rasteve. “Nëse isha pyetur unë kisha me thanë se Kosovën e kisha mbyll me 1 janar. Ne nuk jemi vonuar me këto masa sepse shkollat i kemi mbyllur pa pasur raste, pra me kohë i kemi ndërmarrë masat e nevojshme”, tha ai.
E deputetja e VV-së Labinota Demi, pyeti Ramadanin nëse ekziston mundësia që falja e namazit të Bajramit të bëhet në stadium.
“A besoni se falja e namazit te bajramit mund të falet në stadium. Sepse unë mendoj se hapja e xhamisë është pak herët”, tha ajo.
E Ramadani tha se falja e namazit të Bajramit është i pamundur për dy faktorë, e para grumbullimi i njerëzve dhe përshëndetja dorë me dorë.
“Ne kishim takim me myftiun Naim Tërnava dhe kishim një takim kontruktiv me të sepse realisht ai ka qenë shumë unik dhe ka ndihmuar shumë në këtë aspekt. Falja e namazit është fenomen siç janë tubimet dhe këto janë shumë të rrezikshme në këtë fazë sepse virusi ende është prezent. Falja e namazit të Bajramit nuk mund të bëhet për arsye të dy faktorëve. E para është se ekziston grumbullimi i njerëzve dhe faktori i përshëndetjes. Nuk ka mundësi që dikush pas faljes së namazit të bajramit të mos përshëndeten e t’ia uroj bajramin njëri-tjetrit”, tha Ramadani.