Për herë të katërt, fëmijët që ndodhen në Klinikën e Pediatrisë nga dritarja kanë parë figurat e super-heronjve, të cilët i kanë dhe idol të tyre, raporton Ekonomia Online.
“Super-heronjtë në Pediatri” po organizohet nga “Care for Kosovo Kids” në bashkëpunim me “Klubin Alpin Prishtina”.
Vullnetarët kanë përformuar në katet, dhomat e oborret e Pediatrisë, duke krijuar kështu atmosferë te fëmijët e pranishëm.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se superheronjtë e vërtetë janë mjekët e infermierët kësaj klinike.
“Mjekët dhe infermierët tanë që bëjnë punë të palodhshme dhe të jashtëzakonshme çdo ditë në trajtimin e fëmijëve tanë, sot me këtë aktivitet të superheronjëve, kemi dashur me vu në pah këtë pjesën e superheroit, të cilën ashtu siç thash janë mjekët dhe infermierët…Ky aktivitet është për të falënderuar mjekët dhe infermierët tanë me punën e tyre të palodhshme që e bëjnë përditë në klinikën e pediatrisë”, tha Vitia.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajcevci-Uka, u shpreh e lumtur që edhe këtë vit në prag të festave, superheronjët vizituan repartin e tyre. Ajo shpreson që ky aktivitet të vazhdojë me vite të tëra.
“Ky aktivitet është mjaft i rëndësishëm, sidomos për fëmijët të cilët janë të hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë për arsye se ka disa prej fëmijëve me sëmundje kronike që qëndrojnë gjatë, kështu që ky aktivitet është një çlirim shumë i rëndësishëm i ndjenjës shpirtërore për t’i parë këto edhe sidomos për ata fëmijë të cilët këta superheronj i kanë idol dhe për atë arsye është e rëndësishme ta shohin këtë aktivitet”, tha Uka.