Përfaqësuesit e NATO-s do të diskutojnë të ardhmen e traktatit “Open Skies”, pasi që ShBA-ja lajmëroi se do të heqë dorë nga pakti i përbërë prej 35 shteteve, i cili lejon fluturimet e paarmatosura të vëzhgimit nëpër shtetet anëtare, raportoi Reuters.
Zyrtarët e lartë të administratës së presidentit Donald Trump, të cilët thonë se Rusia vazhdimisht ka shkelur kushtet e traktatit, kanë thënë se Washingtoni formalisht do të tërhiqet brenda gjashtë muajve nga Open Skies.
Kjo lëvizje e ShBA-së i thellon dyshimet se Washnigtoni nuk do të shtyjë marrëveshjen START të vitit 2010, i cili limiton armët nukleare të SHBA-së dhe Rusisë në jo më shumë se 1.550 sosh për shtet. Marrëveshjes i skadon afati në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Aleatët e ShBA-së në NATO i kanë bërë presion Washingtonit që të mos braktisë paktin Open Skies, i cili ka për qëllim rritjen e mirëbesimit mes shteteve dhe mundësinë e vëzhgimit e parandalimit të sulmeve befasuese ushtarake.