Sipas zëvendëskomandantit të KFOR-it, Luca Piperni, forcat paqeruajtëse nuk mund ta përjashtojnë mundësinë e tensioneve në veri të Kosovës kur të skadojë afati i regjistrimit të makinave me targa serbe më 31 tetor.
Forca paqeruajtëse të NATO-os në Kosovë, (KFOR) bënë të ditur se më datën 27 shtator do të zhvillohen stërvitje me emrin e koduar “Shpata e Artë” në një zonë të ushtrimeve të kampit ‘Novo Sellë’, në komunën e Vushtrisë, qytezë kjo që ndodhet afër Mitrovicës. Në një njoftim për medie, KFOR-i tha se në stërvitje do të përfshihet edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX. “Stërvitja do të vendoset në një kontekst të operacionit të reagimit emergjent, ku personeli i KFOR-it do të vazhdojë të veprojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX-it”.
Stërvitja e KFOR-it, është pjesë e planeve të publikuara në fillim të këtij muaji nga trupat e KFOR-it, ku u njoftua, se nga data 27 shtator deri më 2 nëntor “do të zhvillojnë një stërvitje rutinë me një nga njësitë e tij rezerve”, dhe kjo automatikisht do të çojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave të NATO-os në terren. Këto stërvitje që po përfshijnë edhe njësitë rezervë të NATO-s, do të zhvillohen vetëm një muaj para afatit të vendosur nga qeveria e Kosovës për ndalimin e qarkullimit të veturave me targa të qyteteve të Serbisë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë për serbët e veriut të Kosovës.
“Vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar”
Sipas krerëve të forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, situata aktualisht në veri është e qetë, por e brishtë. Andaj KFOR-i nuk përjashton mundësinë e tensioneve të reja, kur të skadojë afati i regjistrimit të makinave të serbëve deri më 31 tetor që qeveria e Kosovës e ka përcaktuar dhe që po kundërshtohet nga Serbia. “Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar, nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezerve dhe këtë vendim mund ta marrim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i KFOR-it, Luca Piperni, gjatë një takimi me gazetarët në Prishtinë. NATO në kuadër të forcës paqeruajtëse KFOR, aktualisht ka rreth 3,700 trupa në Kosovë.
Dhjetë ditë më parë ndërkaq, në Kosovë arriti një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar për t’u përfshirë në stërvitjet që synojnë ruajtjen e “shkallës së lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.
Më 31 korrik kur qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në dokumente udhëtimi dhe targa të makinave serbe, në veri të Kosovës pati përleshje midis policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë. Serbët vendosën barrikada në rrugë dhe ato u larguan vetëm kur ndërhynë forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe qeveria e Kosovës ra dakord të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit për targa deri më 31 tetor.