NATO-ja rrëzon një dron mbi Lituani, sulmohet edhe një helikopter danez

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Avionët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë gjatë natës së së hënës, kanë bërë të ditur zyrtarët e aleancës. Incidenti ka nxitur thirrje për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit baltik, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s janë shtuar edhe pas një incidenti me një helikopter ushtarak danez në Detin Baltik.

Droni është rrëzuar në një fshat rreth 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit lituanez, Vilnius, pranë rezervuarit të Kaunasit, ka njoftuar të martën Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave e Lituanisë.

Sipas ushtrisë lituaneze, ky është rasti i parë kur një dron rrëzohet në hapësirën ajrore të vendit.

Kryeministri i Lituanisë, Mindaugas Sinkevičius, ka deklaruar se incidenti tregon nevojën për të shtuar kapacitetet e mbrojtjes ajrore.

“Është e qartë se mbrojtja ajrore po bëhet një çështje gjithnjë e më e rëndësishme edhe në Lituani, jo vetëm në Ukrainë, e cila po mbron veten. Prandaj, sigurisht që do të na duhet të bëjmë përparim së bashku me forcat tona të armatosura dhe t’i bashkojmë përpjekjet tona, në mënyrë që të mund të mbrojmë hapësirën ajrore të vendit tonë”, ka deklaruar Sinkevičius.

Ai ka shtuar se i kishte informuar aleatët dhe partnerët për situatën, si brenda Bashkimit Evropian, ashtu edhe në NATO.

Njoftimi për rrëzimin e dronit erdhi një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se goditjet pranë territorit të aleancës do ta shtyjnë organizatën transatlantike të rrisë mbështetjen për Kievin.

Lituania, e cila kufizohet me Bjellorusinë, aleate e rëndësishme e Moskës, si dhe me enklavën ruse të Kaliningradit, është përballur vazhdimisht me kërcënimin nga dronët në hapësirën e saj ajrore.

Të ngjashme