Edhe pse institucionet e Kosovës janë larg nga vendosja e marrëdhënieve kontraktuale politike me NATO-n, megjithatë është arritur të bëhet një hap i vogël me letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dërguar kryeministrit të Kosovës në dhjetor të vitit 2016. Me këtë për herë të parë Kosovës i janë hapur dyert që të marrë pjesë në disa prej programeve të NATO-s, duke gjetur forma të bashkëpunimit me Kosovën. Por, edhe me këtë progres sado të vogël nuk garantohet vendosja e marrëdhënieve politike të Kosovës me NATO-n. Me qëllim të nxitjes së diskutimit publik dhe analizimit të këtyre marrëdhënieve komplekse, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar sot analizën me titull: “Shqyrtimi i përgjigjes së NATO-s: Cili është partneriteti me Kosovën?”.
Me një gjuhë të rafinuar dhe me dykuptimësi, NATO-ja i ka ofruar Kosovës bashkëpunim në formën e “ndërveprimit”, por duke mos e trajtuar Kosovën si vend partner i NATO-s e as duke mos i dhënë dritë të gjelbër nisjes së dialogut politik Kosovë-NATO. Duke marrë parasysh vendimmarrjen e strukturave të NATO-s, duket që rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO do të marrë më shumë kohë se që është menduar. Kjo po ndodh për shkak se katër vende anëtare të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën dhe për më tepër bllokojnë vendosjen e marrëdhënie zyrtare të Kosovës me NATO-n. Si njëri nga zërat më kritikë shquhet Spanja e cila vazhdon të kundërshtojë fuqishëm avancimin e raporteve të Kosovës me NATO-n në nivel politik me qëllim integrimin në NATO.
Megjithatë, pengesat politike janë shmangur sa për t’i mundësuar institucioneve të Kosovës të hyjnë në një bashkëpunim minimal me NATO-n. Në këtë mënyrë, ky bashkëpunim nuk do të zhvillohet drejtpërdrejtë nga selia e NATO-s në Bruksel, por përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Kosovë dhe misionit KFOR.
Në kuadër të bashkëpunimit praktik që do të nis në vitin 2017 do të ketë komunikim më të shpeshtë dhe vizita të rregullta të zyrtarëve të NATO-s në Kosovë për ngritjen e dialogut politik. Për më tepër, institucionet e vendit do të mund të marrin pjesë në programe të ndryshme të partneritetit të NATO-s, përfshirë programet e mbrojtjes nga sulmet kibernetike, edukim, trajnim dhe logjistikë, Programin për Ndërtimin e Integritetit, Programin Shkenca për Paqe dhe Siguri dhe në Divizionin e Diplomacisë Publike. Pos kësaj, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësinë të marrë pjesë si vëzhguese në Qendrën Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim ndaj Fatkeqësive. Krahas institucioneve shtetërore (si FSK-ja apo institucionet tjera), edhe institucionet jo-shtetërore të Kosovës, si universitetet, institutet hulumtuese dhe organizatat joqeveritare mund të përfshihen në programet dhe instrumentet e NATO-s për çështje të sigurisë, paqes dhe komunikimit me publikun.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë dobitë që do të sjell bashkëpunimi i ri me NATO-n duke kërkuar përfshirje aktive dhe të plotë të institucioneve të vendit në programet e NATO-s me qëllim të avancimit të marrëdhënieve me NATO-n dhe thellimit të raporteve të ndërsjella. Kjo padyshim duhet të pasohet me një angazhim më konkret e serioz të Qeverisë kosovare që në bashkëpunim me vendet mike të bëhen përpjekje për zbutjen e qëndrimeve të katër vendeve anëtare të NATO-s ndaj Kosovës. Ndërsa, institucionet e vendit duhet të veprojnë sa më shpejt lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, gjë që do të përmbyllte njërin prej cikleve të shtet-ndërtimit në vend, gjegjësisht kompletimin e strukturave të sigurisë dhe të mbrojtjes së Kosovës.