Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar të enjten se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i njoftuar rreth takimit të së mërkurës mes ministrave të Jashtëm të NATO-s për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka deklaruar se i ka theksuar si Prishtinës ashtu edhe Beogradit nevojën për qetësi dhe përmbajtje, si dhe anashkalim të ndonjë hapi apo deklarate provokative.
“Me zotin Haradinaj, kam shqyrtuar planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Kam theksuar se një hap i tillë vjen në kohë të papërshtatshme dhe është kundër këshillës së dhënë nga disa aleatë të NATO-s andaj mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik”, është thënë në deklaratën e NATO-s.
Përveç tjerash ai ka thënë se nëse do rritet mandati i FSK-së, NATO-s i duhet të shqyrtojë nivelin e bashkëpunimit me këtë Forcë.
Sa i përket bisedimeve me presidentin serb Vuçiq, në deklaratën e NATO-s është thënë se Stoltenberg i ka përmendur presidentit serb nevojën për zbutur tensionet.
“U kam rikujtuar të dyve se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Prishtinës dhe Beogradit është rruga e vetme për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon.
NATO-ja mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Kosovë përmes misionit tonë paqeruajtës të KFOR-it”, është thënë në deklaratë.
Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.
Megjithatë të enjten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se tri projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen me 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar se “ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ecë në rrugën e saj”.