Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka ironizuar me disa vendime të Qeverisë së Albin Kurtit, të cilat nuk kanë dhënë rezultate.
Kuçi ka vlerësuar se Kosova në qeverisjen e Kurtit është më afër krijimit të Asociacionit autonom.
Ajo e ka përmendur vendimin për reciprocitet në targa me Serbinë.
“Prill 2022: Reciprocitet në targa. Eliminohen targat ilegale. Kosova sovrane! Rezultati: Marrëveshja legalizoj targat KM në veri. Targat KM nuk prodhohen / lëshohen nga Kosova, por ato u pranuan me marrëveshje nga Kurti”, ka shkruar ajo.
Po ashtu, Kuçi ka përmendur edhe marrëveshjen për energjinë.
“Qershor 2022: Marrëveshja për Energjinë: Po kthehet inkasimi, po ndalohet vjedhja e rrymës, era shtet sovran! Rezultati: Distribuimi i jipet një kompanie që është pronë e një ndërmarrjeje publike të Serbisë dhe veriu trajtohet veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës sepse atje po tash lejohet çmimore tjetër e energjisë”, është shprehur Kuçi.
Zëdhënësja e PSD-së ka shkruar edhe për deklaratat e gushtit të Kurtit se Kosova nuk mund të marrë vendime që e vënë në pikëpyetje pavarësinë e shtetit.
“Rezultati do të jetë kompromisi i radhës që nuk sjell marrëveshje përfundimtare, nuk ka paqe të përhershme në mes të dy vendeve, nuk ka njohje reciproke dhe është një hap më afër Asociacionit autonom. Fjalët s’e thojnë, veprimet po. E kur veprimet legjitimojnë, fjalët të qesin rrenc”, ka shtuar Kuçi.