Në kuadër të tematikës ’’Dëshmorët”, Posta e Kosovës ka emetuar emisionin e pullave postare dedikuar dy dëshmorëve e atdhetarëve të shquar, Nazim Gafurri dhe Stak Mark Mirdita.
Nazim Gafurri ishte një veprimtar dhe atdhetar i madh i kombit, i cili përmes publikimeve të tij arriti ta ndërkombëtarizojë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, që iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës nga sistemi jugosllav. Për t’i dal në mbrojtje popullit, shkriu tërë dijen dhe pasurinë që kishte. Patriotizmi i tij e vuri nën shënjestrën e pushtetit, që ia organizuan atentatin e tretë vdekjeprurës, më 7 maj 1928.
Stak Mark Mirdita rrjedh nga një familje patriotike, që lirisë së Kosoves ia dha gjashtë dëshmorë. Njihet si personalitet i hershëm dhe i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe si humanist i madh i popullatës së varfër. I cilësuar person i rrezikshëm për sistemin pushtues jugosllav, pushkatohet në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit 1944, së bashku me shumë patriotë shqiptarë.
Posta e Kosovës përmes një kumtese për media, ka bërë të ditur se kjo pullë postare në imazhin e saj mbartë portretet e dy dëshmorëve, veprimtarëve të shquar të periudhës së viteve 1920-1945, të cilët me guximin e tyre intelektual, pasqyruan të vërtetën para botës për krimet e sistemit jugosllav ndaj popullatës shqiptare që jetonte në ish Jugosllavi.