Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), në bashkëpunim me Rockfeller Brothers Fund, organizuan sonte ceremoninë e ndarjes së Çmimeve FIDES 2017, për të nderuar kontributin filantropik të individëve, organizatave dhe bizneseve në Kosovë dhe Diasporë.
Çmimit FIDES post-mortum është ndarë për studiuesin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, Robert Elsie. Çmimin e ndau kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ndihet i nderuar që gjendet në një mbrëmje ku promovohen, vlerësohen dhe falënderohen publikisht individ, biznese, organizata të shoqërisë civile, të rinj, gra, ambientalist për kontributin e tyre.
“Filantropia bashkëkohore shihet si strategji për të pasuruar kulturën e bamirësisë, me qëllim mobilizimin e drejtë të komuniteteve lokale, burimeve njerëzore e financiare. Të gjitha këto e krijojnë ekosistemin e vlerave të cilat i mbanë shoqëria jonë dhe të cilat “FIQ” kujdeset për t’i promovuar duke sjellë me afër njerëzit, institucionet dhe sektorët e zhvillimit në vend”, tha kryeministri Haradinaj.
I ftuar të ndajë çmimin “FIDES 2017” Post Mortum për kontributin në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve nga Robert Elsie, albanologut kanadez i cili ndërroi jetë muajin e kaluar, kryeministri e ka cilësuar këtë si moment prekës për të.
“Është nder për mua si kryeministër, por edhe si shqiptar të nderoj me çmim një personalitet si Robert Elsie, i cili arriti ta njoh kombin tonë aq mirë dhe aq thellësisht. Robert Elsie, gjermano-kanadezi i cili iu përkushtua paraqitjes së tërësisë së artit, kulturës, fotografisë dhe historisë së shqiptarëve”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se e admiron atë për vendin ku pushojnë eshtrat e tij në Thethin e bukur shqiptar.
Çmimin e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie.
Albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur, me origjinë gjermane, Robert Elsie, u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare pak ditë më parë. Ai ka lënë amanet që të prehet në Shqipëri.
Çmimi FIDES për kontribut në nivel kombëtar “Hasan Prishtina” i është ndarë Bankës Raiffeisen në Kosovë. Dajana Berisha, drejtoreshë e FIQ-it, e cila e ndau këtë çmim tha se kjo kompani ka bërë investime strategjike në fushën e arsimit, si dhe projekte që avancojnë arsimin, kulturën dhe inovacionin.
Çmimin FIDES për liderët e rinj e ndau ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Lorik Cana. Ai shkoi për Grupin për Familjet në Nevojë.
Me çmimin për kontribut në fuqizimin e gruas është nderuar Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave nga Drenasi. Çmimin asaj ia ndau aktorja e njohur Margarita Xhepa.
Për kontribut individual është nderuar Vezir Ramushi. Po ashtu janë ndarë çmimet FIDES për kontribut në Mjedis, që iu dha “Era Group” dhe kontribut nga Diaspora, me të cilin u nderua fotografi i njohur Fadil Berisha.