Vdes aktori i serialit turk “Ezel”, gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij

Prishtinë | 07 Sht 2026 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Bota e artit në Turqi është tronditur nga vdekja e papritur e aktorit të njohur Serhat Mustafa Kılıç, i cili u nda nga jeta në moshën 51-vjeçare.

Aktori, i njohur për publikun nga serialet e suksesshme “Seksenler”, “Söz” dhe “Kuruluş Osman”, u gjet i pajetë në banesën e tij të shtunën e kaluar, shkruan CNN Turk.

Sipas raportimeve, për rreth dy ditë nuk ishte marrë asnjë informacion prej tij. E dashura e tij, Ozlem E., e shqetësuar pasi nuk po arrinte ta kontaktonte, shkoi në banesën e aktorit. Aty ajo e gjeti Kılıçin të shtrirë pa shenja jete në divanin e dhomës së ndenjes dhe njoftoi menjëherë policinë dhe ekipet mjekësore.

Mjekët që mbërritën në vendngjarje konfirmuan vdekjen e aktorit.

Gjatë ekzaminimeve paraprake u konstatuan mavijosje rreth syve, si dhe në krahë dhe këmbë. Megjithatë, në trupin e tij nuk u gjetën prerje, plagë të hapura apo shenja të dukshme të dhunës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Pas përfundimit të autopsisë, trupi i Serhat Kılıç iu dorëzua familjarëve dhe u dërgua në morgun e varrezave Zincirlikuyu.

Menaxheri i aktorit, Tolga Çinkitaş, ka bërë të ditur se sot, më 7 shtator, në orën 12:00, në skenën Muhsin Ertugrul do të mbahet ceremonia përkujtimore në nderim të aktorit.

Serhat Kılıç pritet të përcillet për në banesën e fundit në Ankara, ku do të varroset ditën e nesërme.

Të ngjashme