Ndani postet 50:50 dhe mos na humbni kohën kot

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 09:45 | Nga Liri Loshi

“Me hajna, me hajna nuk ka shtet!”

Kjo qysh tash do të thotë se me hajna nuk guxoni të krijoni ministritë. Këtë duhet ta dini të dytë, Isa dhe Albin para se të nominoni kabinetin qeveritar. Hajni asht edhe me u mundu me marrë ma shumë dikasterë sesa ju takon. Kjo vlen njësoj, për të dytë. Konformizëm asht me leju tjetrit me marrë ma shumë sesa meriton.

Populli e ka votuar Albinin pak më shumë mu për shkakun se i ka besu pastertisë së tij morale, etikës së tij prej politikani dhe zotimit decidiv për ta çkapur shtetin, për ta luftuar krimin, korrupsionin dhe nepotizmin. Albinin si kryeministër pra, do ta bëjmë përgjegjës për çfarëdo keq qeverisje, apo afere korruptive në qeverinë e tij dhe nëse ai nuk është në gjendje të ketë nen kontroll punën e të gjithë ministrave dhe të marrë masa adekuate dhe të shpejta ndaj secilit prej tyre, ne mund të bëhemi me opozitën dhe të ngrihemi kundër tij. S’ka lidhje hiç se kush asht në opozitë përderisa ata nuk do të jenë të akuzuar, apo denuar për aferë korruptive. Kurrkush mos të mendojë se do ta ketë luksin për të qëndruar në pushtet duke llogaritur gabimisht se elektorati më nuk do ta votojë PDK-në. Por nëse ju punoni mirë PDK dhe AAK do t’i takojnë historisë. Tash zgjedhni e merrni. Mos e kërkoni kafshatën e madhe as njeri as tjetri se ajo do të ju mbetet në fyt.

Edhe diçka, mos bëni marrëveshje për presidentin tash, kur presidenti aktual ka mandat edhe dy vjet. Nëse e bëni këtë, ju qysh tash po tregoni se nuk e keni dertin e popullit dhe problemeve të tij, por vetem dertin e posteve tuaja. Presidentin do ta bëjmë me votë të popullit. Është një punē që nuk ju takon juve, një punë që po u morët ju vesh tash më shumë na sjell probleme sesa na ndihmon pas dy vitesh. Ndani postet 50:50 dhe mos na humbni kohën kot. Kosova ka humbur shumë edhe për fajin e juve dyve. Nuk dua t’ua përmend tash asnjerit ato faje. Kuptoni se nuk asht kohe luksi, por kohë e përgjegjësisë se madhe dhe kohë kur çdo deshtim i juaj nuk do të kalojë pa u ndeshkuar menjëherë.
Grahni punës!

Të ngjashme