Gjashtë trupa të djegur të vendosur mbi njëri-tjetrin ishin duke u hetuar të martën në qytetin Bucha, në rrethinat e Kievit, ku pas largimit të forcave ruse kanë dalë në pah prova rrënqethëse për vrasje dhe torturime.
Nuk është e qartë se kush ishin personat apo se në çfarë rrethanash ata ishin vrarë. Një nga kufomat ishte më e vogël se të tjerat, ndoshta e një fëmije, tha Andrii Nebytov, kreu i policisë në rajonin e Kievit. Një nga kufomat kishte një plagë me armë në kokë.
Trupat e parë nga gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press ishin fare pranë një rruge rezidenciale, pranë një vendi lojërash shumëngjyrësh dhe të boshatisur, dhe ishin të dukshëm për kalimtarët që kishin dalë me ndroje përjashta për të marrë ndihma.
“Është e tmerrshme”, tha Ministri i Brendshëm ukrainas Denys Monastyrsky në vendngjarje, ku kishte edhe gazetarë të tjerë. Ministri tha se Presidenti rus Vladimir Putin duhet “të shkojë në ferr”.
Gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press kanë parë dhjetëra kufoma nëpër qytetin Bucha, nga ku forcat ruse u tërhoqën javën e kaluar. Imazhet e disa prej trupave me duart e lidhura kanë tmerruar botën. Shumë nga viktimat e para nga gazetarët e Associated Press duket se janë qëlluar me armë nga afër, disa prej tyre në kokë. Të paktën dy prej tyre i kishin duart të lidhura.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se kufomat e të paktën 410 civilëve janë gjendur në qytetet përreth Kievit, të cilat u çliruan gjatë ditëve të fundit. Zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas e ka përshkruar njërën nga dhomat e zbuluara në Bucha si një “dhomë torturash”.
Policët mbartin kufomën e një civili të gjendur në Bucha (5 prill 2022)
Policët mbartin kufomën e një civili të gjendur në Bucha (5 prill 2022)
Imazhet e tmerrshme të trupave të keqtrajtuar apo të djegur dhe të lënë përjashta, ose të varrosur me nxitim, kanë shkaktuar thirrje për sanksione më të forta ndaj Kremlinit, në veçanti për një ndërprerje të importeve të karburantit nga Rusia. Gjermania dhe Franca reaguan duke dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, duke sugjeruar se janë spiunë, dhe Presidenti amerikan Joe Biden tha se Presidenti rus Putin duhet gjykuar për krime lufte.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u largua për herë të parë nga Kievi, që kur lufta filloi rreth gjashtë javë më parë, për të parë nga afër ato që i quajti “gjenocid” dhe “krime lufte” në qytetin Bucha.