Kosova ka marrë goditjet e para shkaku i ndërhyrjeve politike në arsim, nga Qeveria e këtij mandati. Të martën, Agjencia e Akreditimit është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), raporton Koha Ditore.
Sebep për këtë vendim është bërë shkarkimi i jashtëligjshëm i anëtarëve të Bordit dhe të menaxhmentit të Agjencisë së Akreditimit. Bordi kishte dhënë prova se donte të vinte rregull në arsimin e lartë, duke pezulluar më shumë se 100 programe akademike në universitete publike e në kolegje private, meqë nuk i përmbushnin kriteret ligjore. Dhe, kjo nuk i kishte pëlqyer Qeverisë, e cila ka emëruar njerëz të rinj në Bord, kryesisht aktivistë partiakë.
Komiteti i Regjistrit në vendimin për përjashtim, ka konstatuar se, pas vendimit të ministrit të Arsimit për shkarkimet, Agjencia e Akreditimit e Kosovës “ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”. Veç kësaj, në arsyetim ka theksuar se nuk ka mundur të identifikonte “rrethanat që do të justifikonin shkarkimi me efektet e tij të dëmshme në pavarësinë dhe aftësinë e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës”.
Edhe më përpara, sqarime për shkarkimet e Bordit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë dhe ushtrueses së detyrës së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka kërkuar nëpërmjet një letre presidenti i EQAR-it, Karl Dittrich.
Në letrën drejtuar ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që mban datën 6 tetor, e të cilën e ishte siguruar gazeta, thuhet se EQAR është njoftuar nga mediat për këto shkarkime dhe po nga mediat e ka marrë vesh se arsyetim për këto shkarkime kanë qenë “parregullsitë”, transmeton Koha Ditore.
Dittrich ia ka kujtuar ministrit Bytyqi se AKA është pjesë e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, që prej vitit 2015. Si e tillë, thuhet në letër se AKA është subjekt i monitorimit nga EQAR.
“Ne jemi informuar për vendimin tuaj për shkarkim të të gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe drejtorin e AKA-së. Bazuar në raportimet e medieve, disa ‘parregullsi” kanë qenë arsyet e këtij vendimi. Ju jeni në dijeni se AKA është e regjistruar në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë që prej vitit 2015. Si e tillë, AKA është subjekt i monitorimit nga EQAR, lidhur me përputhshmëritë me Standardet dhe Udhëzimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë (ESG)”, thuhet në letër.
“Agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyre autonome, të kenë përgjegjësi të plota për punët e tyre dhe rezultatet e atyre punëve, pa ndikimin e një pale të tretë”, specifikohet më tej në letrën e Dittrich. Edhe në letër ishte theksuar se shkarkimi i udhëheqjes së Agjencisë mund të vë në pikëpyetje vazhdimësinë e përmbushjes së këtij standardi nga AKA.
“Për më tepër, më 5 tetor, 2017 ne kemi kërkuar sqarim nga AKA lidhur më një sërë çështjesh që kanë të bëjnë për një raport të mëparshëm. Si rezultat i vendimit për shkarkim dhe mungesës së një përfaqësuesi të autorizuar, AKA nuk ka mundur të përgjigjet dhe të përmbush obligimet e saja për raportim ndaj EQAR. Ne do ta vlerësonim shumë nëse do të mund t’i shpjegoni arsyet e vendimit për shkarkim të të gjithë udhëheqjes së AKA-së, e në veçanti, çfarë janë saktësisht parregullsitë për të cilat AKA supozohet që është përgjegjëse”, thuhet në letrën e presidentit të EQAR, Karl Dittrich.