Ndërkombëtarët me kërkesën e njëjtë, serbët “jo të bindur” për targat – Kurti këmbëngulës

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti i vendosur në vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës sa i përket çështjes së targave, ani pse ndërkombëtarët po vazhdojnë me kërkesën e tyre që afati të shtyhet edhe për 12 muaj.

Edhe sot, pas Samitit të Berlinit, kreu i ekzekutivit ritheksoi se nuk do të ketë shtyrje të afati, pasi siç tha ai “jemi në të drejtën tonë”.

“Shtyrja 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje. Shtyrja mund të jetë tri, javë një muaj, dy muaj, por në këtë rast nuk kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë. Dëshirojmë edhe të mos bëjmë kompromis sa i përket zbatimit të ligjit të drejtë, e vendimeve të mira qeveritare, por njëkohësisht edhe të mos e cënojmë paqen edhe sigurine, dhe këtë e kemi bërë me vendimin që kemi marrë”, tha kryeministri i vendit.

Kreu i Qeverisë tha se me ShBA janë vazhdimisht në kontakt, me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë por edhe drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit.

“Me ShBA jemi në kontakt vazhdimisht, me ambasadorin Jeffrey Hovenier, por edhe drejtëpërdrejt me Departamentin Amerikan. Nuk ka vendim që shkakton preokopim të paqes dhe sigurisë. Partnerët tanë në Washington dhe Bruksel e dinë qëndrimin tonë”, tha Kurti, teksa shtoi se jo çdo herë ndodh të pajtohen për çdo gjë me aleatët ndërkombëtarë.

“Natyrisht nuk do të thotë që pajtohemi çdo herë, kudo, për secilën hollësi, se Qeveria është e një vendi sovran, e kështu na duan edhe ShBA, por ne anen tjetër nuk mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje të Qeverisë sonë ndaj brengave evropiane”.

E sa i perket mos-zbatimit të vendimit, Kurti tha se “organet e sigurisë merren me thirrjet për mos zbatim të vendimit, pasi është në shpërputhje me rendin dhe ligjin në Kosovë”.

E pikërisht për këtë të fundit, Inspektoriati Policor gjatë ditës së sotme ka suspenduar Drejtorin e Policisë Rajonale në veri.

Nenad Gjuriq, të mërkurën në konferencë për media tha se pjesëtarët serbë të forcës policore nuk do të zbatojnë vendimin qeveritarët për ndalimin e veturave me targa “KM” dhe ndarjen e fletëqortimeve.

Po të mërkurën, Policia e Kosovës njoftoi se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës kanë pranuar një informatë për djegien e një veture me targa RKS në Zubin Potok.

I menjëhershëm qe reagimi i ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili e quajti akt kriminal, derisa ripërsëriti kërkesën për të zgjatur afatin për regjistrimin e veturave në RKS.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, tha Hovenier, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe QUINT-i gjithmonë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM etj, por siç shkroi “jemi të zëshëm në kërkesën e tyre për një periudhë 12 muajshe”.

Rohde gjithashtu shtoi se serbëve duhet t’u shpjegohet se në Kosovë duhet të përdorin targa të Kosovës.

“Por, do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në shtensionim. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin, se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, shkroi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

Nga 1 nëntori ka filluar zbatimi i vendimit për çështjen e targave, ku si masë e parë është “Qortimi”, kurse nga data 21 nëntor ata të cilët nuk regjistrojnë veturat e tyre në RKS do të gjobiten me 150 euro, ndërsa masa e tretë përdorimin e targave provuese, ku kjo masë parashihet të hynë në fuqi nga data 21 janar e deri më 21 prill, pas të cilës datë siç deklaroi kryeministri Kurti nuk do të lejohen targa tjera në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme