Refugjatët nuk po i ndalnin as minat në rrugën e kthimit drejt tokës së djegur. Shqiptarët e shpërngulur mësynë Kosovën me makina e sido që mundeshin. Dikush edhe në këmbë.
Kosova u çlirua. Shpresën e ringjallën paqeruajtësit e NATO-s. Pas tyre po ktheheshin nëpër shtëpitë rrafsh me tokë qindra e mijëra të zhvendosur, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me ta ishte edhe Hysen Zejnullahu. Ai dhe të tjerët as që ua kishin vënë veshin thirrjeve të aleancës më të fuqishme ushtarake dhe organizatave humanitare ndërkombëtare që të mos ktheheshin pa u identifikuar dhe spastruar zonat e minuara. Sytë i kishin nga vendlindja.
Zejnullahu kishte edhe një detyrim moral. Ndiente se duhej t’ia kthente të mirën me të mirë një miku që ia strehoi familjen pesanëtarëshe për një muaj para se të merrte udhë me tren drejt Maqedonisë. Atje la gruan dhe tre djemtë.
Ata po paketonin ato pak plaçka që i kishin marrë me vete, kur një muaj më parë mezi zunë vend në trenin që po zbrazte përditë Kosovën.