Ndërmjet të ardhmes evropiane të opozitës dhe sovranitet shtetëror të pushtetit

Prishtinë | 03 Kor 2023 | 17:23 | Nga Afrim Kasolli

Në bazë të deklarimeve mediale, opozita ka vendosur të “aktivizohet” politikisht për të mbrojtur të ardhmen euroatlantike të vendit. Ky “mobilizim” i saj vjen pas sanksionimit të Kosovës që po thuhet se është bërë nga BE-ja. Ndërkohë, qeveria si duket është e vendosur që të mos bëjë “kompromise” në raport me interesat “sovraniste” të vendit përball këtij ndëshkimi. Kështu skena politike po futet në një cikël interesant të antagonizmave. Me opozitën që pretendon ta mbrojë këtë të ardhme nga qeveria, pa e adresuar përgjegjësinë e BE-së për këtë situatë, dhe me pushtetin që nuk e adreson përgjegjësinë e tij për këtë gjendje, por vetëm atë të BE-së për shkak se po e ndëshkon një vend demokratik dhe po e laston një autoritar.

Mirëpo, e vërteta është se këto sanksione janë të padrejta ndaj Kosovës. Ashtu siç ka kohë që politika e Bashkimit Evropian ka qenë e tillë ndaj Kosovës. Për të rehabilituar Serbinë për interesa ekonomike dhe gjeopolitike ajo ka ushtruar në vazhdimësi presion ndaj Kosovës, madje edhe duke mbajtur peng konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet, e duke i mbajtur të izoluar të qytetarët e këtij vendi si të vetmit rajon për një kohë të gjatë, si dhe duke lehtësuar një dialog të stërzgjatur sipas agjendës së Serbisë, për shkak të paaftësisë dhe interesave të saj për të mos ushtruar presion mbi Beogradin, sepse sa më shumë zvarritet ky proces aq më shumë dëmtohet Kosova, dhe në mes të tij duke detyruar Kosovën që ta themeloj Gjykatën Speciale etj etj. Dukuri kjo e paprecedent.

Madje të njëjtit në vazhdimësi ia përkujtonin Kosovës si vend i krimit dhe korrupsionit, mungesës ë sundimit të ligjit etj etj, por nuk nguronin të investonin në Serbi e ta mirëkuptonin Vuciqin. Pra opozita tash dëshiron të mbrojë një kauzë që vet BE-ja ndër vite e ka dëmtuar dhe shpërfillur. Po ashtu edhe këto masa ndëshkuese janë një ushtrim asimetrik i presionit mbi Kosovën në raport me Serbinë. Dhe në këtë mënyrë duket sikur Bashkimi Evropian po e bën të njëjtin gabim me Vuçiqin sikur që e ka bërë më herët më Putinin. Sepse këtij te fundit nuk i kërkonte llogari për intervenimet e tij në Gjeorgji, Moldavi e Ukrainë, madje bënte plane me të për të paqen evropiane, deri sa ai ndërmori aksionin për pushtimin e total të Ukrainës, dhe tek atëherë Brukseli e kuptoj gabimin që e ka bërë ndër vite. Dëshmi kjo, se tolerimi dhe mirëkuptimi për një diktator kurrë nuk mund të jetë garanci për paqe, demokraci dhe stabilitet rajonal.

Kështu, sanksionimi vetëm i Kosovë dhe mosndëshkimi i Serbisë, përkundër politikave subversive që ka ndjekur ky shtet jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, është një inkurajim i të ardhmes joevropiane të rajonit nga vetë BE-ja.

Të ngjashme