Nderohen 77 të vrarët e Masakrës së 22 Majit në Vushtrri

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 14:36 | Nga

Në 19 vjetorin e Masakrës së 22 Majit janë përkujtuar qytetarët martirë të Vushtrrisë të cilët u vranë nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, përcjell Klan Kosova.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri ka kërkuar nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare që fillimisht ta zbardhë rastin e vrasjes së 77 vushtrriasve, si dhe të fshehjes së krimit duke i varrosur trupat e tyre në varrezë masive në Beograd.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë nga komuna e Vushtrrisë:

“Me dhembje e lot, në 19 vjetorin e vrasjes më çnjerëzore të 77 shqiptarëve, qyteti i Vushtrrisë sot ka bërë homazhe dhe ka nderuar qytetarët e tij martirë, jeta e të cilëve u këput nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.

Sot 19 vjet, pas kësaj plage të rëndë të luftës, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri tha se qyteti i Vushtrrisë nderon martirët që dhanë jetën për liri.

“Të gjitha këta njerëz të mirë të Vushtrrisë e të Kosovës u vranë vetëm për një arsye: ata ishin shqiptarë, refuzuan nënshtrimin dhe refuzuan që të braktisin tokën e tyre, shtëpitë e tyre. Ata si i gjithë populli i Kosovës e kishin kuptuar që regjimi i Millosheviqit kishte synim dëbimin dhe spastrimin trojeve etnike shqiptare, prandaj vendosën që të qëndrojnë e me gjakun e tyre dhe me jetën e tyre njomën lirinë e pavarësinë e Kosovës”,tha kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Nga ky tubim përkujtimor, kryetari Tahiri ka kërkuar nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare që fillimisht ta zbardh rastin e vrasjes çnjerëzore të 77 qytetarëve të Vushtrrisë, e më pas edhe të fshehjes së krimit duke i varrosur trupat e tyre në varrezë masive në Beograd.

Qyteti i Vushtrrisë sot ka nderuar martirët duke bërë homazhe në varrezat e martirëve të 22 majit në Vushtrri.

Me 22 maj të vitit 1999 brenda pak orësh në qytetin e Vushtrrisë u vranë në mënyrën më çnjerëzore 77 persona, derisa një person tjetër ende është në listat e të zhdukurve. Të njëjtën ditë u plagosën shumë persona, e po ashtu nga forcat serbe u arrestuan edhe qindra persona qytetarë të Vushtrrisë.

Për më keq, për të fshehur gjurmët e krimit personat e vrarë dhe masakruar nga forcat serbe u dërguan në varrezë masive në poligonet ushtarake Beograd, për tu zbuluar disa vite më vonë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme