Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, janë bërë homazhe te varri i tij në varrezat e qytetit në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Homazhe tek legjenda e futbollit kanë bërë fytyra të njohura publike dhe disa prej krerëve institucional të vendit, prej të cilëve ishte kryeparlamenari dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, etj.
Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se Vokrri ishte legjenda e Kosovës në futboll dhe asnjëherë nuk do të harrohet kontributi i tij për futbollin kosovarë.
Ai ka përmendur kohën kur Vokrri pa hezituar kishte pranuar të vij në Kosovë për të dhënë kontributin e tij në këtë sport.
“Është ditë e dhimbshme jo vetëm për familjen, Kosovën e Futbollin po bëhen një vit nga shkuarja në amshim e legjendës së futbollit, e kam pas mik të mirë dhe më kujtohet mirë takimi i parë para se të vijë në Prishtinë dhe të bëhet drejtor i klubit Prishtina, unë atëherë si kryetar nuk ka pas nevojë me lutë me iu kthy Kosovës dhe erdhi dhe na hapi rrugët pa të cilin futbolli nuk do ishte këtu që është edhe Kosova nuk do ishte e njohur siç është”, tha Beqiri.
“Është humbje e madhe dhe kujtimi për të do të jetë i përjetshëm deri sa të ekzistoj njerëzimi”, tha ai.
Ish-nënkryetari i Partizanit të Beogradit, Branko Ruzic, po ashtu ishte i pranishëm të nderonte futbollistin Vokrri.
Ai tha se dëshira e tij të ishte në këtë përvjetor bëri që të vij këtu, por që nuk ka ardhur në mënyrë të organizuar.
Lulzim Berisha, udhëheqës i tifozëve Dardanët tha se është e vështirë të përjetohet humbja e Vokrrit. Ai tha se për çdo ndeshje vijnë tek varri i të ndjerit.
“E vështirë shumë e vështirë e kemi përjetuar largimin e tij, të gjithë do vdesim por humbja e tij është shumë e madhe për sportin kosovarë”, tha Berisha.
Ai po ashtu njoftoi se tifozët Dardanë do të nisën për në Bullgari ku numri i tyre pritet të jetë mbi 500 tifozë.
Ndërsa, djali i Vokrrit, Gramoz Vokrri ka falënderuar të gjithë të pranishmit që erdhën për të nderuar babanë e tij të ndjerë.
Vëllai i Vokrrit, Adil Vokrri, tha se humbja e Fadil Vokrrit ishte shumë e vështirë, por se do të kujtohet përherë për kontributin dhe vlerat e tij.