Inspektorati Komunal i Malishevës, të dielën, ka ndërprerë punimet e një ndërtimi në zonën e këtij qyteti. Sipas njoftimit të Zyrës komunale për informim, ky veprim është ndërmarrë pasi pronari i këtij ndërtimi nuk ishte pajisur me leje për ndërtim.
Sipas drejtorit të Inspektoratit të Komunës së Malishevës, Dibran Kastrati, në asnjë rast nuk do të lejohen ndërtimet pa leje ndërtimore. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjet dhe rregulloret në fuqi për ndërtime të objekteve, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Edhe pse sot është ditë e diel, ne si Inspektorat nuk do të ndalemi së inspektuari të gjitha fushat që i kemi përgjegjësi”, ka thënë drejtori, Kastrati. “Punimet në këtë vend pronari i ka filluar dhe po i zhvillonte pa leje, edhe pse paraprakisht inspektorët e kanë paralajmëruar që të mos ndërtonte pa leje”, ka sqaruar Kastrati, duke e arsyetuar ndërprerjen e punimeve në këtë rast.
Zyra për informim ka bërë të ditur se ndërtimet pa leje, pronarët kryesisht po i zhvillojnë ditëve të fundjavës, duke u munduar që të jenë larg syve të inspektorëve. “Megjithatë, drejtori Kastrati ka bërë apel te qytetarët që të mos bëjnë investime në ndërtimet e tyre pa u pajisur me leje ndërtimi, pasi kjo është e kundërligjshme dhe më së shumti dëmtohen vetë pronarët e ndërtimeve”, përfundon njoftimi i ZI-së.
Sipas të dhënave të MMPH-së, në regjistrin e ndërtimeve pa leje në Komunën e Malishevës figurojnë 19 mijë e 780 ndërtime.