Ndërpritet seanca gjyqësore në rastin e gazit lotsjellës pasi Salih Zyba kërkon ndryshimin e prokurorit

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 14:35 | Nga Gzim Mujaj

Seanca gjyqësore në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018 është ndërprerë, pas kërkesës së të pandehurit Salih Zyba për ndryshimin e prokurorit të rastit, Valdrin Krasniqi, për shkak të dyshimeve për konflikt interesi.

Kërkesa u paraqit pasi gjatë seancës prokurori Valdrin Krasniqi lexoi aktakuzën, me të cilën Prokuroria i akuzon të pandehurit Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi se më 21 mars 2018, në intervalin kohor nga ora 12:10 deri rreth orës 15:40, në sallën e Kuvendit të Kosovës, fillimisht Xhelal Sveçla, në cilësinë e deputetit, e më pas edhe të pandehurit Zyba, Millaku dhe Pacolli-Dalipi, kanë përdorur mjete plasëse, duke aktivizuar disa bombola me gaz lotsjellës. Sipas aktakuzës, si pasojë e këtyre veprimeve deputetët e pranishëm janë detyruar ta ndërpresin seancën, ndërsa të pandehurit akuzohen për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Akuzon të pandehurit Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi se me datën 21 mars 2018, rreth orës 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e Kuvendit të Kosovës, fillimisht Sveçla, deputet i Kuvendit, e të pandehurit Salih Zyba, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli kanë përdorur armë, mjete plasëse, ashtu kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës dhe të gjithë deputetët ishin detyruar, kanë kryer veprën penale përdorimi i armës apo përdorimi i mjeteve të rrezikshme”, tha ai.

Pas leximit të aktakuzës, e pandehura Drita Millaku deklaroi se do të mbrohet në heshtje. Ndërkaq, i pandehuri Salih Zyba tha se nuk e ndjen veten fajtor, ndërsa edhe e pandehura Fitore Pacolli-Dalipi deklaroi se nuk ndihet fajtore për veprën që i vihet në barrë.

Në fjalën hyrëse, prokurori Valdrin Krasniqi tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor, përmes provave materiale, do të provohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Ai theksoi se kjo do të vërtetohet përmes incizimeve video të siguruara nga Kuvendi i Kosovës dhe atyre të publikuara në media, ku sipas tij shihet qartë përdorimi i gazit lotsjellës në seancën e 21 marsit 2018.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, përmes provave materiale do të provohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barrë. E kjo do të vërtetohet nga video-incizimet e siguruara nga Kuvendi i Kosovës, si dhe ato të publikuara në media, ku vërtetohet qartë se të pandehurit kanë përdorur armën përkatësisht gazin lotsjellës në seancën e datës 21 mars 2018 dhe me veprimet e tyre kanë penguar në kryerjen e detyrave zyrtare të deputetëve të tjerë që kanë marrë pjesë në seancat e Kuvendit. Përmes foto-albumit me fotografi do të vërtetohet fakti se pikërisht në vendin ku kanë qëndruar të pandehurit në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës janë gjetur dhe sekuestruar armët përkatësisht gazi i cili është përdorur nga të pandehurit. Nga raporti i Njësisë për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksplozive – IEDD do të provohet fakti se gazi që është përdorur në këtë rast është armë, siç parashihet me Ligjin për Armët. Nga vendimi i datës 21 mars 2018 i nxjerrë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të provohet fakti se të pandehurit për këto veprime kanë pranuar masa disiplinore”, tha ai.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Drita Millakut, avokati Driton Robaj, tha se klientja e tij ka vepruar në cilësinë e deputetes dhe se veprimet e saj kanë qenë politikisht të motivuara, si formë proteste, e jo për qëllime kriminale. Ai theksoi se, sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që ndonjë person të ketë pësuar dëm fizik apo psikologjik.

“I akuzuari Drita Millaku ka vepruar në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës, veprimet e saj kanë qenë politikisht të motivuara si protestë, e jo për qëllime kriminale. Nuk ka asnjë provë që ndonjë person të ketë pësuar dëm psikologjik apo fizik”, tha ai.

Edhe avokati i Salih Zybës deklaroi se veprimi politik nuk përbën vepër penale, duke shtuar se, sipas tij, përdorimi i gazit lotsjellës nuk e rrezikon jetën e njeriut dhe nuk duhet të trajtohet si vepër penale.

“Konsideroj që veprimi politik nuk është vepër penale, me gaz lotsjellës nuk dëmtohet jeta e njeriut. Konsideroj që veprimi politik nuk është vepër penale”, tha ai.

Më pas, i pandehuri Salih Zyba kërkoi ndryshimin e prokurorit të rastit, duke pretenduar se ekzistojnë dyshime për lidhje familjare mes prokurorit Valdrin Krasniqi dhe ish-sekretarit të Kuvendit të Kosovës në kohën kur ka ndodhur rasti. Ai kërkoi që gjykata ta verifikojë këtë pretendim, duke theksuar se një situatë e tillë, sipas tij, përbën konflikt interesi dhe cenon profesionalizmin e procedurës.

“Apeloj te gjyqtari që të verifikohet në kohë reale që prokurori prezent të na heqë dyshimet se i njëjti qenka i ndikuar nga prindi që ka mbajtur detyrën zyrtare në kohën sa është zhvilluar ajo seancë, zyrtari Ismet Krasniqi, është i biri natyral i Ismet Krasniqit. E konsideroj që është konflikt interesi dhe jo profesionalizëm. Së pari të verifikohet se i njëjti a është djali i sekretarit të atëhershëm, se konsideroj që në Kosovë ka prokurorë të tjerë”, tha ai.

Pas kësaj kërkese, gjyqtari i rastit vendosi që seanca gjyqësore të ndërpritet, për t’u trajtuar më tej kërkesa e të pandehurit për ndryshimin e prokurorit.

Të ngjashme