Seanca paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ndërprerë përkohësisht pasi gjykatësi Nicolas Guillou ka thënë se do të pauzojnë për gjysmë ore. Pasi të kthehen, ai ka paralajmëruar se do të japë disa urdhra gojorë për palët.
Në seancën e sotme janë paraqitur në diskutim një sërë çështjesh. Mbrojtja e të akuzuarve e ka akuzuar Prokurorinë se po ngutet padrejtësisht që ta nis sa më shpejt gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
David Hooper, avokat i Thaçit, ka kërkuar nga organi i akuzës disa materiale të cilat i ishin paraqitur klientit të tij gjatë intervistimit në korrik të vitit të kaluar.
Më tej, avokatët e të të akuzuarve kanë kërkuar që Prokuroria t’ua japë të gjitha incizimet audio dhe video të intervistave të dëshmitarëve.
Avokati i Thaçit në seancë i ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s për t’i dhënë fund agresionit të Serbisë mbi Kosovën.
Prokuroria ka thënë se në shtator planifikon ta dorëzojë dosjen paraprake në këtë rast, gjë që është kundërshtuar nga avokatët.
Ish-zyrtari amerikan, Pierre-Richard Prosper, avokat i Hashim Thaçit, në seancën e sotme paragjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se s’ka mundur të takohet me ish-presidentin e Kosovës që prej kohës kur është ngritur aktakuza kundër tij, ndërsa ka shfaqur dyshime për platformën Zoom.
Avokatët i kanë pasur edhe disa ankesa tjera lidhur me hetimet që po i zhvillojnë.