Ndërrimi i ekzekutivit në Podujevë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 29 nëntorit ka ndryshuar edhe rolet e LDK-së e LVV-së në këtë komunë. Pas daljes në opozitë kanë filluar edhe kritikat ndaj qeverisjes së Vetëvendosjes që në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal. Këshilltarët e LDK-së, pos që nuk i kishin votuar dy pika nga rendi i ditës në seancën e fundit (informatën për gjendjen financiare të komunës dhe listën e pronave të veçanta për dhënie në shfrytëzim për 2021), pika “Të ndryshme” i ka përplasur këto dy parti. Kjo pikë edhe ka zgjatur më shumë se zakonisht.
Këshilltari nga radhët e LDK-së, Agim Behluli, ka qenë shumë i zëshëm gjatë kësaj seance, për dallim prej herave të tjera që ka qenë shumë pasiv gjatë kohës kur pushtetin e ka pasur partia e tij. Ai ka kërkuar përgjegjësi nga qeverisja e re lokale edhe për çështjen e sigurisë.
“Meqenëse është mbyllur sheshi, këto dy rrugët tjera të bëhen me dy kahje se u bllokua qyteti krejt. Na patët lodhë për bibliotekë, po ju pyes juve kur doni me bë edhe ku? Çka keni ndërmarrë që është sulmuar njeri me 30 mijë euro në pikë të ditës? A e keni mbajtur ndonjë konferencë për gazetarë a çka keni bë?”, ka thënë ai gjatë kësaj seance.
Behluli e ka përmendur edhe plagosjen e vëllait të tij.
Përgjigje i ka dhënë këshilltarja e VV-së, Doruntina Hasani, e cila edhe e kishte ngritur shumë herë këtë çështje.
“Në dy vitet e fundit e kemi pyetur ish-ekzekutivin se si është e mundur të ndërtoni bibliotekë me 50 mijë euro. Tash ju nuk keni të drejtë me na kërkua neve, se ju nuk e keni ngritur zërin asnjëherë deri tash për këtë çështje”, ka thënë ajo.
Hasani e kishte shfrytëzuar rastin që t’i bëjë pyetje drejtorit për Buxhet dhe Financa, për gjendjen financiare të Komunës, pikë e cila nuk ishte miratuar nga LDK-ja e PDK-ja.
Ndërkohë, Mimoza Abdullahu nga PDK ka kërkuar që të ndërtohen edhe së paku dy çerdhe në partneritet publiko-privat, pasi ka thënë se çerdhja e vetme publike nuk i plotëson nevojat.
Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj ka thënë se çështja e sigurisë nuk është në përgjegjësinë e Drejtorisë që udhëheq.
Ai po ashtu i ka thënë këshilltarit Behluli se e ka kontaktuar vëllanë e tij për të shprehur keqardhje për atë se çfarë i ka ndodhur.
Diskutimi i këshilltarit Agim Behlulit nuk është ndalur me kaq. Ai ka vazhduar edhe më tutje duke e ngritur edhe zërin ndaj këshilltarëve të VV-së, derisa edhe ka dalë prej sallës.
Kur në foltore ka dalë drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, për t’iu përgjigjur këshilltares Duruntina Hasani për gjendjen financiare të Komunës, PDK dhe LDK e kanë lëshuar seancën. Derisa po fliste drejtori Osmani se qeveria e LDK-së e kishte lënë Komunën me afro 4 milionë euro suficit, kryesuesi Fatmir Gashi, ka kërkuar nga administrata që të shoh nëse ka kuorum për të vazhduar seanca. Por, kjo është kundërshtuar nga kryetari Bulliqi.
Bulliqi i ka thënë kryesuesit se nuk po di ta udhëheq seancën.
“Po pyes a monitorohet nga niveli qendror seanca? Ju që e mbani procesverbalin duhet të shkruani si po menaxhohet seanca. Nëse ky është kryesues, nuk mundet me imponuar mendimin”, është shprehur Bulliqi.
Ai ka filluar t’u përgjigjet pyetjeve të këshilltarëve opozitarë, edhe pse ata kishin dalë nga seanca.
“Neve na vije keq që kanë ndodhur ato plagosje. Unë do të kontaktoj edhe komandantin e stacionit policor për të diskutuar për çështjen e sigurisë. Po ashtu do të thërras edhe mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pasi deri sot ky Këshill nuk ka qenë i kompletuar”, ka theksuar Bulliqi.
“Po kërkojnë me ua ndërru rrugët ne, a qe 3 vjet kanë fjetë. Ato çerdhe kërkojnë buxhet. A keni ndarë buxhet për ato çerdhe? Unë prej xhepit nuk mundem me i nxjerr ato çerdhe”.
Në këtë mbledhje, shefi i deritashëm i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Vendenis Lahu, e ka dorëzuar mandatin e këshilltarit komunal, pasi motra e tij, Marigona Lahu, është emëruar nënkryetare e Komunës së Podujevës. Edhe pse ka thënë se kjo nuk paraqet konflikt interesi, Lahu tha se dëshiron të jetë shembull se pozitat nuk janë gjithçka.
Ndërkohë, betimin e kanë dhënë dy këshilltarë tjerë, Kasib Bashota (LVV) në vend të drejtorit të PZHE-së, Pajtim Balajt dhe Bahri Blakçori (LDK) në vend të drejtorit për Arsim, Avni Fetahut. Blakçori, i cili kishte garuar nën siglën e LDK-së, ka thënë se aktivitetin e tij politik tash e tutje do ta zhvillojë në kuadër të Grupit të LVV-së.