Koha kalon, dhe në shekullin e ri, tashmë, është “jashtë mode” mentaliteti i kaluar: “Mbaj gjithë jetën të njëjtën punë”. Koha ka treguar se për të arritur suksesin është e nevojshme të rrezikosh, duke ndjekur aftësitë, talentet dhe bashkë me to edhe fitimet materiale. Ja se si mund ta realizoni:
Një statistikë interesante tregon se deri në moshën 42-vjeçare mund të keni pasur gjithsej deri në 10 punë. Ndonjëra prej tyre mund të ketë qenë edhe babysitter, kamarier/e etj, por pas një farë moshe të gjithë kanë tendencën të stabilizohen në një karrierë më të qëndrueshme që zakonisht zgjat më gjatë. Sipas të njëjtave statistika, (www.mariclaire.co.uk) 91 % e njerëzve që kanë lindur pas vitit 1977 në fakt, zgjedhin ta ndërrojnë një punë pas mesatarisht 3 vitesh.
Edhe pse mund të duket e çuditshme, kjo është ajo që duhet natyrshëm, për njerëzit që kërkojnë të rriten e shpërblehen profesionalisht. 66 % e atyre që janë aktualisht në një punë të qëndrueshme, janë duke menduar për të gjetur diçka më të mirë. Ndërkaq, një pjesë tjetër e mirë, është duke menduar të ndryshojë karrierën dhe t’ia ‘nisë’ nga e para!
“Njerëzit janë duke ndryshuar rregullisht punët dhe karrierat e tyre”, thotë Caroline Arnold (këshilluese karriere). “Po bëhemi më pak të interesuar për titujt në CV-të tona dhe më shumë të vëmendshëm për aftësitë që kemi dhe se si mund t’i përdorim ato për rritjen tonë. “Brezi i ri është shumë më i fokusuar në lumturinë personale. Presioni i një pune stresante i bën ato të heqin dorë dhe të bëjnë diçka tjetër që do i jepte më tepër motivim dhe kënaqësi, edhe në rastet kur puna aktuale ka përfitime të mira monetare.”
Megjithatë, karrierat ‘hit-and-run’ nuk janë domosdoshmërisht gjithmonë të suksesshme. Të paktën, jo nëse je grua. Ndërsa meshkujt kanë shanse të përfitojnë rritje të pagave të tyre më tepër se sa koleget gra, këto të fundit që janë pjesë e botës së biznesit e që e ndryshojnë vendin e punës më shumë se dy herë në 10-vjeçarin e parë të karrierës së tyre, ka gjasa të fitojnë disa herë më pak se ato që qëndrojnë stabël. ‘Nuk di si ta them ekzaktësisht se sa shumë meshkuj ndërrojnë rolet dhe punët gjatë karrierës së tyre, edhe në pozicione lidershipi, ndërsa gratë zakonisht lëvizin më shumë në role periferike,’ shpjegon Arnold.
Nuk ka rëndësi nëse po ndërroni kompaninë apo industrinë, e rëndësishme është ta shihni çdo lëvizje si progres përpara. Edhe nëse zgjidhni ta lini një profesion për të nisur një tjetër, nuk ka pse t’ia nisni gjithnjë nga zeroja!
Arnold rekomandon që të flisni me menaxherin sapo të ndiheni të pakënaqur. ‘Nëse po bëni të njëjtën gjë, tetë orë në ditë, çdo ditë, eventualisht me siguri do të ndiheni e/i disiluzionuar,’ vijon Caroline Arnold. ‘Nëse kjo ndodh, kërko një mbledhje! Nuk është e nevojshme të presësh 11 muaj që t’ua bësh të qarta problemet dhe kërkesat e tua eprorëve.’
Tre gra zbulojnë se si mund të përqafojmë ndryshimin duke ndërmarrë risqe, për të arritur atë që duam të arrijmë:
Nishma Robb, 43 vjeç – Drejtore e marketingut të Google dhe Youtube në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo drejton divizionin e fuqizimit të grave, për t’i’u shtuar mundësitë për karrierë.
Zgjidh shefin, jo punën!
“Kam pranuar role dhe punë, si edhe ndryshime dramatike gjatë karrierës sime. Kam pasur shumë mundësi punësimi dhe nuk jam penduar për asnjërën prej zgjedhjeve që kam bërë. Ajo që kam kuptuar dhe mësuar gjatë gjithë kësaj eksperience është: Zgjidhni shefa që respektoni dhe admironi në atë industri për të cilën punoni!
Përdorni Linkedin për të kuptuar se si këta njerëz perceptohen nga njerëzit përreth dhe çfarë vlerash profesionale e njerëzore gëzojnë. Më pas gjeni mënyrën t’i bashkangjiteni filozofisë së tyre, duke ndarë artikuj dhe duke i treguar mënyra se si industria apo biznesi i tyre mund të përmirësohet. Kurrë mos e nënvlerëso fuqinë e interaktivitetit.”
Kërkoje vetë ndryshimin, mos prit që ai të vijë.
‘Në fakt, unë e kam ri shpikur veten disa herë. Në fillim e nisa si gazetare, më pas zbulova se më tërhiqte më tepër fusha e biznesit. Në vend që të qëndroja në vend, e shtyva veten në marketing duke përdorur maksimalisht gjithë njohuritë që kisha në këtë fushë. Kështu, kalova nga marketingu në biznesin dixhital dhe, edhe këtu m’u desh t’ia nisë në një farë kuptimi nga e para. I gjithë sekreti është të kesh kontroll mbi rrugën që do të të çojë në destinacionin që do.’
Bëj një plan afatgjatë!
I urrej pyetjet klishe: ‘Ku dëshiron të arrish pas 5 vitesh?’ nëpër intervista pune, por, ato gjithsesi janë pyetje të mira për ta fokusuar mendjen se ku dëshiron të arrish me të vërtetë. Mendoje veten si një 80-vjeçare që po e sheh jetën nga pas… Cilat do kishin qenë arritjet që do donit të kishit përgjatë viteve? Tani bëni një plan që do të të ndihmojë të arrish atje. Përcakto vlerat që janë më të rëndësishme! Bëhu krijuese!
Amy Hanson, 37 vjeç – E la punën si drejtuese gazete për të krijuar ‘Small Steps’. Kompania Humanitare është kthyer tashmë në Kompaninë më të njohur e suksesshme në fushën e Filantropisë, në nivel botëror.
Përdor Median Sociale për të testuar idetë.
Pasi pashë fëmijët e skamjen në Kamboxhia, nuk e ndjeja më të kthehesha pas; për të ndjekur ‘celebrities’ e për të fituar me ta bukën. Por duhet të krijoja gjithsesi një jetë që duhet të më sillte disa fitime. Vura mënjanë gjithë kursimet, për tre muaj, lashë punën ekzistuese dhe ia nisa…
Një prani e fortë në mediat sociale ishte pjesa më e rëndësishme e karrierës sime. Në thelb, njerëzve iu pëlqen të ndajnë ‘gjëra pozitive’. Prandaj, vura disa foto në facebook me dixhiturën: “Do kthehem në Kamboxhia brenda dy javëve. Nëse dëshironi të jepni diçka për të ndihmuar fëmijët atje, më dërgoni 3 paund, dhe unë mund t’u blej disa gjëra.” Paratë erdhën së bashku me disa kontakte shumë të mira. Një miku im regjisor u ofrua të më sillte një ekip xhirimi për ta filmuar udhëtimin tim. Ndërsa kompania Apple, më dhuroi një Mac me një software. Gjithashtu, një mik shoqërues në udhëtim më pagoi rrugën dhe kur u ktheva, erdha me një film.
Shfrytëzo eksperiencën dhe kontaktet e tua!
‘Nuk dija shumë se si funksiononte filantropia por dija se si funksiononin të famshmit. I shkrova çdo personi të njohur që njihja nga intervistat që kisha realizuar dhe i kërkova të përfshiheshin në këtë gjë. Disa prej tyre janë: Kate Moss, Kylie Minogue, Natalie Portman, Tom Cruise, Chris Martin, Sienna Miller etj. Me disa sponsorizime munda të bëja një investim të vogël si edhe të merrja një staf. Tani që kanë kaluar 5 vjet, ne jemi shpërndarë në të gjithë globin. Punoj gjashtë ditë në javë dhe nuk marr kurrë pushime, megjithatë jam më e lumtur se kurrë. Duke riparë projektet, shoh se kemi bërë një punë shumë të mirë, duke iu ndryshuar jetën shumë njerëzve.
Lidia Kimmerling, 32 vjeç, e la shkollën në moshën 16 vjeçare dhe nisi të punojë në industri të ndryshme që nga biznesi i udhëtimit deri te produksionet televizive.
Kurrë mos e lër frikën të të mbajë gjithmonë në të njëjtin vend.
Mos prano punë “OK” vetëm për shkak të frikës për të ndryshuar. Kam punuar në TV që prej moshës 17-vjeçare pasi fitova një punë si recepsioniste, arrita të isha me kalimin e kohës As. produksioni. Por e urreja punën me orë të stërzgjatura dhe prandaj m’u desh të shkoja në Panama, ku hapa restorantin tim me ushqim aziatik. Qëndrova atje për tre vjet përpara se të kthehesha në Londër, ku fillova një emision timin në moshën 26-vjeçare, këtë herë përpara kamerave. Përsëri mendova se më duhej diçka edhe më plotësuese. Nisa punën në shërbim të kompanisë ajrore Virgin Atlantic, në mënyrë që të përballoja shpenzimet e shkollës si ‘motivuese’. Kur u diplomova, ika në Ibiza, për të pushuar. Duhet ta shohim pra gjithnjë ndryshimin nga një dritë pozitive, dhe jo me frikë!
Bëj sikur di ta bësh mirë diçka, edhe nëse ende nuk je ekspert.
Për çdo ndryshim në karrierë, është e nevojshme të fokusohemi në atë që dimë të bëjmë më mirë dhe të mendojmë se pikat e dobta janë gjithmonë të perfeksionueshme. Duhet ta vëmë veten në pozicionin se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse të mësojmë ta bëjmë mirë atë që duhet të bëjmë, për të nxjerrë më të mirën nga vetja.
Bëj zgjedhje, për të qenë gjithnjë gati për ndryshim.
Gjithmonë kam dashur të punoj në Ibiza, por e kam gjetur veten duke menduar se në fillim duhet të martohem, të merrem me biznesin tim etj. Në të vërtetë, kuptova që po tregohesha thjesht e frikësuar. Nëse punon fort, paratë do të vijnë! Në shumë raste punët më të mira e kanë gjetur vetë rrugën drejt meje. Ka gjithmonë një rrugë. Vetëm pyete veten: “Si mund ta bëjë të realizohet?” Në vend që të ankohemi, duhet të mendojmë: “Unë mundem ta bëj këtë!”