Në një ceremoni solemne është bërë ndërrimi i Komandës së KFOR-it, nga komandanti i deritanishëm, Salvatore Cuoci, te Lorenzo D’Addario.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se në këtë ditë të ndërrimit të Komandës të gjithë duhet theksuar punën e shkëlqyeshme të Gjeneral Cuoci-it si Komandant i KFOR-it, ku sipas Haradinajt falë Cuocit, komunikimi, koordinimi dhe bashkëpunimin me akterët në Kosovë është zhvilluar edhe më tej, raporton Ekonomia Online.
“Populli dhe Qeveria e Kosovës janë përgjithmonë mirënjohës ndaj të gjithë grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në vendin tonë, duke mbështetur paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova gjithnjë do të jetë krah për krah me KFOR-in dhe NATO-n, ku Kosova synon të anëtarësohet në NATO.
“Kosova do të respektojë përgjithmonë praninë e KFOR-it dhe NATO-s, ne nuk planifikojmë të zëvendësojmë prezencën ushtarake të vendeve demokratike dhe synojmë të përforcojmë partneritetin”, tha ai.
Haradinaj i dëshiroi Cuocit gjitha të mirat në rolin e ri si Gjeneral përgjegjës për Arsimimin Ushtarak të Ushtrisë së Italisë, ndërsa Gjeneralit D’Addario i dha mbështetjen e plotë për rolin e sapo marrë.
“Komandant i ri i KFOR-it, Gjeneral Lorenzo D’Addario ju do të keni gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim, në bërjen e Kosovës dhe rajonit një ambient të qetë dhe të sigurt, shtoi Haradinaj.
Ndërsa, Gjeneralmajor, Salvatore Cuoci tha se ndjehet i kënaqur me punën që e ka kryer mirë dhe që gjithë stafi që ishte me të gjatë kohës që ishte si Komandant i Forcës së Kosovës kanë bërë që kjo periudhë të jetë një nga përvojat e tij më të paharruara të karrierës se tij profesionale ushtarake.
“Si Komandant i KFOR-it me të vërtetë jam krenar të them që sot KFOR-i nuk është vetëm operacioni më i gjatë i NATO-s, por edhe një storie suksesi për Aleancën dhe partnerët tanë. Për dy dekada, KFOR-i ka ndihmuar këtë vend që të transformohet në një vend më të sigurt, gjithmonë duke u përqendruar tek populli i Kosovës për të siguruar një mjedis të qetë dhe më të sigurt për brezat e ardhshëm”, tha ai raporton EO.
“Këto 12 muajt e fundit kanë qenë sfiduese, me disa ngjarje që mund të kishin penguar përparimin e deri tanishëm, prandaj jemi shumë krenar që KFOR-i është institucioni më i besuar ndërkombëtar në Kosovë dhe arsyeja se pse Forca e Kosovës vlerësohet aq shumë është sepse ne gjithmonë jemi përqendruar për popullin e Kosovës ta vëmë në rend të parë, duke punuar për ta për të përmirësuar sigurinë dhe lëvizjen e tyre të lirë”, shtoi Cuoci.
Admirali, James Foggo tha se Cuoci ka punuar me përgjegjësi të plotë në mënyrë që të ruaj dhe fitoi partneritete të tjera të qëndrueshme.
“Çdo ditë në çdo mënyrë, Cuoci frymëzoi me partneritet më të madh në të gjitha institucionet dhe organizatat partnere. Ai e mori me përgjegjësi punën e NATO-s dhe KFOR-it. Po ashtu me përgjegjësi të vazhdueshme Gjenerali Cuoci ka komunikuar dhe ka komanduar këtë forcë të qëndrueshme ushtarake dhe paqeruajtëse”, tha Foggo.