Ndërron jetë kompozitori shqiptar, Andi Bajraktari

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Ka ndërruar jetë kompozitori i njohur shqiptar, Andi Bajraktari.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur akademiku Vasil Tole përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Tole tha se Bajraktarin e konsideron një student të shkëlqyer dhe kompozitor me vlera, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort dhe prind i dashur.

Tutje sipas tij, Andi po hidhte i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës.

Theksojmë që Bajraktari ishte kompozitor dhe mësues prej 10 vitesh në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe gjithashtu ishte lektor në Universitetin e Durrësit.

Postimi i plotë i Vasil S. Tole:

U pre në mes jeta e një njeriu dhe artisti kompozitor me shpirt të madh.

Andi Bajraktari ishte dhe do të kujtohet si personifikim i çdo gjëje të mirë që mund të ketë njeriu: student ekselent, kompozitor me vlera, qytetar, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort e prind i dashur!

Andi po hidhte i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës. Vepra të reja po shkruante dhe ishte në prag të pranimit për studimet e doktoraturës në muzikë. Ai reflektonte mirësi për gjithçka që e rrethonte.

Na trishtove të gjithëve i dashur Andi me largimin tënd të parakohshëm!

Ngushëllimet më të thella për bashkëshorten dhe fëmijët, motrën dhe familjarët si dhe për komunitetin e muziktarëve në Durrës, Tiranë e në gjithë Shqipërinë!

I paharruar miku dhe kolegu ynë i rrallë Andi Bajraktari!

Të ngjashme