Ndryshojnë procedurat për pajisjen me tapi të personave që kanë ndërtuar pa leje dhe ndërtimi i tyre është kualifikuar nga ALUIZNI.
Certifikata e pronësisë do t’i jepet pronarit brenda 30 ditëve nga dorëzimi i dosjes nga ALUIZNI në ZRPP, ndërsa të dhënat në lidhje me dosjen, regjistrimin në Hipotekë dhe kushtet që duhet të plotësojë tapia janë përcaktuar në një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
Vendimi i plotë që është zbardhur nga “Gazeta Shqiptare”, përcakton rregullat e bashkërendimit të punës ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së dhe të procedurave, apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara. Përveç hapave ligjorë që duhet të ndjekin dy institucionet për dorëzimin e dosjes dhe pajisen me tapi të pronarit të objektet, janë përcaktuar edhe procedurat për regjistrimin e pasurive në kartelë.
Regjistrimi
Regjistruesi, me paraqitjen e kërkesës kryen brenda 10 ditësh regjistrimin e lejes së legalizimit. Përcaktimi nëse pasuria (objekti i legalizuar) është individuale, familjare apo në bashkëpronësi kryhet nga ZVRPP-ja mbi bazën e lejes së legalizimit dhe certifikatës së gjendjes familjare, që përcillet nga ALUIZNI. Procedurat e hollësishme të ofrimit nga ZVRPP të shërbimit të regjistrimit dhe të lëshimit të certifikatës së pasurisë së paluajtshme të legalizuar, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Krye-regjistruesit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton në pikën 14 të tij se leja e legalizimit, e miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore (truallin), regjistrohet nga ZVRPP-ja në një kartelë tjetër pasurie nga ajo e truallit, duke bërë shënimet përkatëse në kartelë.
Ndërkohë që, heqja e shënimeve në kartelë dhe regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore, për lejen e regjistruar sipas pikës 14, kryhet nga ZVRPP-ja menjëherë, me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve. Për ndërtimet që posedohen nga më shumë se një subjekt, në rast mospagese të pjesës takuese të detyrimit për parcelën ndërtimore, hipoteka ligjore vendoset për pjesën takuese të pasurisë së legalizuar.
Fshirja e hipotekës ligjore nga ZVRPP-ja kryhet jo më vonë se 5 ditë nga data e njoftimit të ALUIZNI-t për shlyerjen e pagesave, njoftim që shoqërohet nga dokumentacioni provues. Leja e legalizimit, e lëshuar për ndërtime për të cilat subjekti disponon të drejtën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore (truallin), sipas formës së kërkuar nga ligji, regjistrohet nga ZVRPP-ja në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Leja e legalizimit regjistrohet në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes mbi regjimet pasurore martesore.
Për këtë qëllim, personat e interesuar që përfitojnë lejen e legalizimit, dorëzojnë pranë ALUIZNI-t dokumentin që provon regjimin e veçantë martesor, i cili përcillet pranë ZVRPP-së.