Secili institucion në Republikën e Kosovës i ka të parapara përgjegjësitë dhe kompetencat e përcaktuara nga akti më i lartë juridik, Kushtetuta dhe ligjet përkatëse në fuqi. Institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës, për të realizuar mandatin e tyre, duhet të kenë dhe ta fuqizojnë akoma më shumë bashkëpunimin e tyre ndërinstitucional me qëllim që t’i bashkërendojnë aktivitetet e tyre në funksion të ndërtimit të shtetit ligjor, i cili është synimi ynë i përbashkët dhe kryesor.
Është kështu, sepse ne të gjithë e dimë që për të pasur një sistem të drejtësisë – funksional dhe efektiv, zakonisht duhet që për një çështje të reflektojnë dy e më shumë institucione me role dhe përgjegjësi të ndryshme. Prandaj, është i saktë konstatimi se nëse synohet një sistem i suksesshëm i drejtësisë, një ndër obligimet e para të bartësve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë është bashkëpunimi ndërinstitucional, bashkërendimi i veprimeve dhe koordinimi i aktiviteteve.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht, Ministria e Drejtësisë çdo herë është në komunikim dhe bashkërendim të aktiviteteve me institucionet tjera relevante të drejtësisë në vend, sa i përket forcimit të kapaciteteve dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në sektorin e drejtësisë. Nëpërmjet këtij komunikimi synohet që të ketë shkëmbim të informacioneve të sakta sa i përket identifikimit dhe evitimit të problemeve apo pengesave të cilat paraqiten në sektorin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë, në kuadër të funksionit dhe përgjegjësive të veta lidhur me hartimin e politikave dhe legjislacionit, ekzekutimin e sanksioneve penale, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, kërkimin, marrjen, sigurimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me vendndodhjen dhe fatin e personave të zhdukur dhe kthimin e eshtrave të personave të zhdukur, menaxhimin e aseteve te konfiskuara dhe të sekuestruara – është e hapur për ofrim të bashkëpunimit drejt forcimit të sistemit të drejtësisë. Në secilin proces që zhvillohet dhe është brenda përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë, ne zakonisht involvojmë në forma të ndryshme edhe institucionet tjera, duke kërkuar opinionet e tyre apo duke i përfshirë bartësit e këtyre institucioneve drejtpërdrejt në ato procese.
Ministria e Drejtësisë për të gjitha funksionet që ka e vlerëson se është shumë e nevojshme të ketë bashkëpunim dhe shkëmbim të ideve dhe prezantim te sfidave në mes të këtyre institucioneve në vazhdimësi. Me komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, mendoj se do të kemi një vlerësim real të gjendjes në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe më pas edhe do të mund të ofrohen zgjidhje adekuate. Për këtë është i rëndësishëm një mekanizëm funksional, i cili do të siguronte një koordinim të përhershëm të këtyre institucioneve, të cilat pastaj do ta kishin më të lehtë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre, veçmas kur bëhet fjalë për temat si krimi i organizuar dhe korrupsioni për të cilat marrim vërejtje të vazhdueshme nga organizatat e ndryshme vendore, institucionet ndërkombëtare dhe më e rëndësishmja, nga qytetarët e Kosovës.
Republika e Kosovës, institucionet e saj, kanë para vetes një nga sfidat më të rëndësishme, mund të them lirisht, një “KRYESFIDË” e që është ndërtimi i shtetit ligjor. Pa arritjen e këtij synimi, është pothuajse i kotë angazhimi dhe investimi në segmente të tjera, sepse ky synim qëndron në themel të të gjitha zhvillimeve pozitive brenda shtetit dhe shoqërisë sonë. Andaj kjo do të jetë shumë më e lehtë të behet nëse ndërmjet institucioneve relevante në përgjithësi dhe atyre të drejtësisë në veçanti, do të ketë bashkëpunim dhe reflektim më të madh në ofrimin e te dhënave konkrete sa i përket problemeve, sfidave dhe rekomandimeve, por edhe veprimeve konkrete që dalin si rezultat i punës së përbashkët të institucioneve të drejtësisë. Vetëm përmes bashkëpunimit korrekt, pa cenuar pavarësinë e asnjërit nga këto institucione ne do të mund t’ia dalim. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë mirëpret dhe vlerëson lartë organizimin e konferencave të kësaj natyre, siç është kjo sot e organizuar nga CRDP-ja, nga ku pritet të dalin pastaj raportet në të cilat do të identifikohen sfidat, pengesat dhe rekomandimet konkrete, të cilat do të ndihmojnë padyshim në avancimin e mëtutjeshëm të sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, konkluzionet e kësaj konference, Ministria e Drejtësisë do t’i merr parasysh dhe do t’iu referohet edhe gjatë vlerësimit dhe hartimit të politikave dhe legjislacionit në përgjithësi.
Bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të institucioneve të drejtësisë, nuk duhet ta vlerësojmë vetëm si një detyrim moral për shkak të përgjegjësive të përafërta që kemi, por këtë duhet ta shndërrojmë në një mekanizëm që do të na e lehtëson punën dhe do të ndërtojë një sistem shumë efikas të drejtësisë në Kosovë. Vetëm nëse do të arrijmë këtë synim të përbashkët, nëpërmjet rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë, shtetin ligjor, ne do të mund të flasim pastaj edhe për zhvillim më të madh ekonomik, edhe për sistem më të mirë arsimor, pastaj për shërbime më cilësore shëndetësore dhe përfundimisht zhvillime të përgjithshme më pozitive në vendin tonë. Për këtë arsye, ne na duhet të angazhohemi, të gjejmë forma të ndërtimit të këtij bashkëpunimi konkret dhe të mos mjaftohemi vetëm me konstatime dhe diskutime.
Më lejoni që vetëm t’ua përkujtoj se në Kosovë tashmë ekziston mekanizimi për koordinimin e institucioneve të drejtësisë, i cili mbështetet nga UNDP. Ky mekanizëm përbëhet nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës dhe ka si qëllim vlerësimin e gjendjes në institucionet e drejtësisë, koordinimi i donatorëve në këtë sektor si dhe identifikimi i nevojave për mbështetje. Megjithëkëtë, personalisht konsideroj se ka hapësirë që këtij mekanizmi t’i bashkohen edhe institucione tjera dhe më pas t’i shtohen edhe detyrat e përgjegjësitë e tij varësisht nga nevojat që do të paraqiten në këtë sektor.
(Autori është zëvendësministër i Ministrisë së Drejtësisë. Fjalë e mbajtur në Konferencën e organizuar nga CRDP me temën: “Sektori i drejtësisë në Kosovë: Promovimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sektorit të drejtësisë”)