Kanë kaluar gati 6 vjet prej se është vendosur gurthemeli për Xhaminë Qendrore në Prishtinë por puna për ndërtimin e saj nuk ka filluar ende.
Hapësira që ishte planifikuar për këtë xhami vazhdon të shfrytëzohet si parking nga PTK-ja.
Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka kthyer një përgjigje se kur do të fillojë të ndërtohet objekti në fjalë.
Zyrtarë të BIK-ut, përmes telefonit, i kanë thënë ktv-së se nuk kanë çfarë të deklarohen para kamerës, derisa qëndrimi i tyre lidhur me ndërtimin e xhamisë është i njëjti me atë çfarë ka deklaruar ditë më parë kryeimami Naim Tërnava. Tërnava, gjatë festës së Bajramit, kishte thënë se projekti dhe buxheti për ndërtimin e xhamisë janë gati.
Por në Komunën e Prishtinës thonë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka aplikuar ende për leje. Ka kërkuar leje vetëm për kushtet ndërtimore, që i prin lejes për ndërtim.
Zyrtarët e saj deklarojnë se në momentin që do të aplikojnë, kërkesa menjëherë do të shqyrtohet.
Plani i Xhamisë ishte kundërshtuar nga Komuna e Prishtinës, pasi nuk i kishte plotësuar kushtet ndërtimore.
Ktv-ja jozyrtarisht merr vesh se Bashkësia Islame është duke e përshtatur projektin me kushtet ndërtimore dhe se nuk do të ketë lokale, ashtu siç ishte paraparë në projekt.