Përzgjedhësi aktual i Kosovës, Bernard Challandes punon si trajner që prej vitit 1978. Zvicerani i pëlqyer shumë nga tifozët e Kosovës, ka drejtuar skuadra të shumta në Zvicër, ndër të tjera edhe Zuerichun. Te Zuerichu ishte prej vitit 2007 deri në vitin 2010, ndërsa një ndeshje me këtë skuadër ai e vlerëson si më të jashtëzakonshëm në karrierë.
Challandes 68-vjeçar është në krye të përfaqësueses së Kosovës në futboll që prej marsit të vitit 2018. Vlerësohet lartë për punën që bënë, ndërsa Kosova nën udhëheqjen e tij është ngritur shumë. Ai ka drejtuar edhe Armeninë, por sukseset me Kosovën i ka dukshëm më të mëdha.
Me Zuerichun kishte fituar përvojë edhe në Ligën e Kampionëve, raporton Koha.net.
Në edicionin 2009\2010, Zuerichu luajti në grupin C të Championsit së bashku me Real Madridin, Milanin dhe Marseillen. Zuerichu përfundoi i fundit në grup, por mori një rezultat të madh.
Pasi më 15 shtator kishte pësuar 5:2 nga Real Madridi, më 30 shtator 2009, Zuerichu ishte mysafir i Milanit në San Siro. Fitoi befasisht me rezultatin 1:0, me golin e Hannu Tihinen në minutën e dhjetë.
Për Milanin luanin emra të njohur, yje si Pato, Inzaghi, Seedorf, Nesta, Pirlo, Ronaldinho…
Te Zuerichu prej minutës së 76-të kishte luajtur Adrian Nikçi.
“Këtë ndeshje e përjetova si një vujajte të madhe”, ka thënë Challandes për “swissinfo.ch”.
“Stresi ishte prezent pasi shpejtë e kuptuam se ishte e mundur. Mbaj mend që arbitri dha shtatë minuta shtesë. Për atë kohë ishte thuajse rekord. Zambrotta goditi shtyllën në minutën e gjashtë shtesë”.
Kur arbitri dha shenjë për përfundim të asaj ndeshje, Challandes më në fund mund të merrte frymë i relaksuar.
“Deri më sot ajo mbetet ndeshja më e jashtëzakonshme në karrierën time si trajner”, pranon Challandes. “Për një njeri që si fëmijë ka ëndërruar ditë e natë për futbollin, të udhëheqësh ekipin drejt fitores në San Siro, është gjë e jashtëzakonshme”.
Zuerichu i Challandesit kishte barazuar 1:1 me Milanin në ndeshjen në Zvicër, më 8 dhjetor 2009. Nikçi kishte luajtur deri në minutën e 74-t, ndërsa në stol ishte Admir Mehmedi.
Ato ishin katër pikët e vetme të Zuerichut në atë grup të vështirë.
Nikçi (30) nuk po luan më në nivel profesional, por ka folur në superlativ për Challandesin. Mesfushori ishte pjesë e Zuerichut prej vitit 2002 deri në vitin 2012. Ka luajtur edhe për të rinjtë e Zvicrës.
“Challandesin e kam pasur trajner për disa vjet. Nga përvoja mund të them që është trajner shumë i mirë. Ka përvojë shumë të gjatë, është shumë i mençur dhe intelegjent”, kishte thënë Nikçi për KOHËN.
Në fakt Challandes ka punuar edhe me tjerë futbollistë shqiptarë. Me Valon Behramin, ndër të tjera.
Tekniku zviceran është shquar për besimin te lojtarët e rinj. Këtë e ka vazhduar dhe e vazhdon edhe te Kosova.
“Challandes është trajner që di të flasë me lojtarët. Bën shaka ndonjëherë, për të mbajtur disponimin te lojtarët, për të ngritur humorin te ata. Anë të fortë e ka punën me të rinj. E ka aftësinë që lojtarët e rinj t’i bëjë lojtarë të mirë. Mua për shembull më ka aktivizuar me 18 apo 19-vjet në Superligë dhe e kemi fituar titullin e Zvicrës së bashku. Është trajner që nuk i intereson mosha e lojtarit. Nëse luan mirë do të kesh rastin”, kishte deklaruar Nikçi.
Që në vitin 2018 Nikçi kishte treguar për atë që tifozët e Kosovës u bindën ndërkohë.
“Është person që ka shumë emocione. Ka zjarr në gjak, si ne shqiptarët”.