Selektori i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka dhënë një intervistë për televizionin publik shqiptar, ku ka folur për kualifikueset e “Katar 2022”, futbollistët e Kombëtares si dhe projektin e 2024.
Reja u shpreh i zhgënjyer me situatën me COVID-19, pasi nuk mundi ta vizitojë Shqipërinë në katër muajt e fundit, por se kjo gjë nuk e ka penguar në monitorimin e lojtarëve.
Strategu italian konfirmoi se do të ketë edhe lojtarë që do të paraqiten per herën e parë në Kombëtare.
“Po, shpresoj që në këtë grumbullim të kem në grup edhe lojtarë të rinj, por ka pasur disa probleme burokratike me pasaportat, prandaj nuk di të jap një përgjigje të saktë. Unë i kam vendosur në listë dhe shpresoj që gjithçka të mbyllet sa më shpejt në mënyrë që të bëjmë një start pozitiv në këtë eksperiencë. Mund të konfirmoj se njëri prej tyre është Bajramaj i Empolit”, tha ai.
Reja theksoi se lojtari që e ka mahnitur më së shumti është Berat Gjimshiti, por edhe Uzuni, Broja, Manaj e Cikalleshi janë duke treguar nivel të lartë të formës.
Selektori i Shqipërisë u shpreh optimist për grupin në të cilin është Shqipëria.
“Ne kemi një test shumë të rëndësishëm në këto eliminatore. Polonia dhe Hungaria janë kundërshtarët tanë sepse ndaj Anglisë ne do të japim maksimumin dhe më pas të shpresojmë të marrim diçka”, tha Reja.
“Kam shumë interes të shikoj skuadrën në ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë, sepse edhe pse janë skuadra që janë rritur shumë, ato do të na tregojnë se deri në cilin nivel jemi rritur nga të cilat do të marr përgjigje interesante”, përfundoi Eduardo Reja