Ndeshja si vendës ndaj Izraelit vlerësohet rast i madh i Kosovës për të shënuar fitore në kualifikimet për “Euro 2020” në hendboll. Përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani, të dielën ka publikuar listën me emrat e lojtarëve në të cilët llogarit për dy ndeshjet e muajit prill.
Në të dy ndeshjet Kosova luan me Izraelin. Fillimisht më 10 prill Kosova takohet me Izraelin në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë e më pas më 14 prill në Tel-Aviv, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kosova është në Grupin 1 të fazës së dytë kualifikuese për evropianin e vitit tjetër. Në këtë grup janë edhe Gjermania e Polonia. Sidomos Gjermania vlerësohet superfuqi e hendbollit. Kosova i ka luajtur dy ndeshje deri më tani, të cilat i ka humbur thellë.
Fillimisht ka luajtur ndaj Polonisë më 24 tetor të vitit të kaluar, ndërsa ka pësuar me shifrat 37:13. Gjermaninë, Përfaqësuesja e Kosovës e ka pritur më 28 tetor, ndërsa ka pësuar me shifrat 30:14.
Gjermania prin në grup me katër pikë, përkatësisht dy fitore, ndërsa Polonia e Izraeli kanë nga një fitore, përkatësisht dy pikë. Kosova është e fundit pa pikë. Izraeli e kishte befasuar Poloninë duke e mposhtur me rezultat 25:24 në tetor.